Analisti Genc Burimi, duke folur me Skype në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se kryeministri Edi Rama ka dështuar radikalisht, duke shtuar se ka 8 vjet që për shqiptarët nuk ka drejtësi.

“Sigurisht që opozita nuk duhet kritikuar, por kjo opozitë ka mos-kohorencë, pasi pranon gjithçka që do Edi Rama. Shqiptarët nuk kanë siguri se kjo opozitë sot nuk ka tendencën për pushtet pa kufi. Opozita akuzon Ramën se pushteti merr gjoba të fshehta. Rama dikur akuzonte Berishën për të njëjtën gjë. Në 30 vjet, partitë të njëjtat akuza.

Opozita na thotë për taksa 9 për qind, është e njëjta recetë e dhënë nga PD edhe më 2013. Edi Rama ka dështuar radikalisht, ka 8 vjet që shqiptarët nuk kanë drejtësi. Nëse Rama hap negociatat, i merr prapë zgjedhjet. Për mua, hapja e negociatave apo jo është guri i themelit për fitore ose jo”, tha Burimi.

Genc Burimi nënvizoi se partia e Edi Ramës sot është e keqja më e vogël.

“Hapja e negociatave është gur themeli për shqiptarët. Edhe Europa është dinake. Europa thotë që Shqipëria është nën drejtimin e Edi Ramës, gjuhë të huaja flet, vendin e njeh thotë dhe vazhdon më tej. Është moment heshtje, duhet pritur se çfarë do të bëjë Merkeli. Franca do që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen sa më shpejt. Ka lojë hipokrite mes Europës, Shqipërisë, opozitës, Edi Ramës dhe popullit shqiptar.

Makroni ishte ai që bllokoi Maqedoninë e Veriut për negociatat. Ai tha se vende si Shqipëria e Maqedonia e Veriut na zhgënjejnë më tej. Edi Rama sot është e keqja më e vogël. Opozita ka figura, që kanë qenë në pushtet, si Berisha, Kryemadhi, Meta. PD dhe PS nuk lejojnë hapësirë për parti të reja. Partitë e reja duhet të mbështeten më shumë, ndërsa duhet ruajtur edhe vota. Kështu nuk vazhdohet, është për të ardhur keq”, u shpreh Burimi.

Më tej, Burimi theksoi se partitë shqiptare fatkeqësisht nuk kanë program ekonomik.

“Opozita tha se do bëhet nami nëse Rama hedh poshtë marrëveshjen e 5 qershorit, duke iu qëndruar betimeve të veta. Partitë politike shqiptare nuk kanë program ekonomik. Opozita po shkon me minus në zgjedhje. Partitë nuk kanë program ekonomik. LSI thotë integrimi, po kush është kundër integrimit? PD thotë mbështes biznesin, po kush është kundër biznesin? Duhen ligje, që të kufizohet pushteti i kryeministrit, deputetit etj. Dy mandate janë shumë për një kryeministër shqiptar”, përmbylli analisti Burimi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb