TIRANE

Gjatë fjalës së tij me rastin e mbylljes së misionit të FMN në Tiranë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se deficiti buxhetor është i ulët dhe borxhi publik është në rënie të vazhdueshme.

“Duhet të vijojnë reformat strukturore në Shqipëri. Deficiti buxhetor i ulët dhe borxhi është në rënie. Bazat e zhvillimit të vendit mbeten solide, ndërsa duhet përmirësim i zhvillimit të sistemit financiar”- tha nder të tjera Gent Sejko.

Fjala e plote e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko:

Sikundër mund të jeni në dijeni, gjatë dy javëve të fundit kemi qenë në diskutime të vazhdueshme me Misionin e FMN-së i cili ka vizituar vendin tonë, në kuadrin e konsultimeve periodike mbi Artikullin IV.

Si gjithnjë, këto diskutime fokusohen mbi ecurinë aktuale të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, mbi perspektivat e zhvillimit të tyre, si dhe mbi politikat e duhura ekonomike dhe reformat e nevojshme strukturore të cilat duhen ndjekur dhe zbatuar për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Me kënaqësi, kam konstatuar se kemi ndarë pikëpamje të ngjashme mbi trendet e zhvillimit, sfidat e të ardhmes, dhe masat e nevojshme për adresimin e tyre.

Më lejoni të përmbledh, në vazhdim, opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi çështjet në fjalë.

Trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të vendit ka vijuar të jetë i pranishëm edhe gjatë vitit në vazhdim. Në këndvështrimin e kërkesës agregate, rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve shqiptare. Në këndvështrimin e sektorëve prodhues, rritja ekonomike ka pasqyruar kryesisht zgjerimin e sektorëve të industrisë e të shërbimeve, duke u ndikuar në një masë jo të vogël dhe nga rritja e prodhimit të energjisë elektrike. Në këndvështrimin e politikave mbështetëse, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është favorizuar:

* Nga politika monetare stimuluese dhe kushtet e favorshme të financimit, si në tregjet vendase dhe në ato të huaja;

* Nga konsolidimi fiskal, i cili ka reduktuar ndikimin e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare; si dhe,

* Nga programi i reformave strukturore, të cilat pavarësisht kostove afatshkurtra, kanë filluar të japin frytet e para.

Rritja ekonomike ka ndihmuar në përmirësimin e përgjithshëm të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Sikundër kemi theksuar dhe më parë:

* Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë, pavarësisht ndikimit frenues që ka patur forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit, duke sugjeruar se përmirësimi i pozicionit ciklik të ekonomisë po fillon të pasqyrohet në rritje të pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit;

* Pozicioni i jashtëm i vendit është përmirësuar, i reflektuar ky në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente;

* Deficiti buxhetor mbetet i ulët dhe borxhi publik i vendit ka ardhur në rënie;

* Së fundi, sistemi financiar i vendit shfaqet i qëndrueshëm. Sektori bankar shqiptar paraqitet me tregues të qëndrueshëm apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Analizat dhe provat tona të rezistencës sugjerojnë se ky sektor shfaqet rezistent ndaj situatave të mundshme të stresit, duke garantuar aftësinë e tij për përballimin e goditjeve.

Analiza e mësipërme tregon se bazat e zhvillimit të vendit mbeten relativisht solide. Kjo analizë pasqyrohet dhe në projeksionet tona, të cilat, në skenarin e tyre bazë, parashikojnë vazhdimin e rritjes ekonomike edhe përgjatë horizontit afatmesëm, shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

Projeksionet e mësipërme janë të kushtëzuara nga një sërë faktorësh.

* Së pari, ato supozojnë se ambienti ekonomik dhe financiar i jashtëm do të vijojë të mbetet mbështetës për rritjen e ekonomisë shqiptare.

* Së dyti, ato nuk parashikojnë goditje të mundshme, të cilat nëse do të materializoheshin, mund ta shmangin ekonominë apo inflacionin nga trajektoret e parashikuara.

* Së treti, projeksioni i kthimit të inflacionit në objektiv supozon se ecuria e kursit të këmbimit do të shfaqet më e qëndrueshme në të ardhmen. Bazuar në sa më sipër, ne gjykojmë se balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.

Në bazë të këtyre parashikimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se miksi aktual i politikave ekonomike është ai i duhur. Politika fiskale është dhe duhet të vijojë të mbetet e angazhuar në reduktimin e borxhit dhe të dobësive fiskale. Nga ana tjetër, politika monetare duhet të vazhdojë të mbetet akomoduese. Kthimi i inflacionit në objektiv nënkupton se intensiteti i stimulit monetar do të vijë në reduktim gjatë horizontit kohor afatmesëm, por ai nuk nënkupton ndryshimin e natyrës së politikës monetare. Së fundi, filozofia dhe masat tona mbikëqyrëse dhe rregullatore do të vijojnë të balancojnë nevojat e nxitjes së zhvillimit, me garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe ruajtjen e kursimeve të shqiptarëve.

Megjithatë, detyrat tona si politikë-bërës nuk mbarojnë këtu. Përshpejtimi i ritmit të zhvillimit të vendit dhe rritja e qëndrueshmërisë së tij kërkojnë që reformat strukturore të Shqipërisë të vijojnë.

Më lejoni të radhis disa drejtime parësore të punës.

Së pari, zhvillimi i qëndrueshëm dhe afatgjatë i vendit kërkon përmirësimin e mëtejshëm të sistemit tonë financiar.

Zhvillimi i mëtejshëm i sistemit financiar ndihmon rritjen e kursimeve, lehtëson financimin e sektorit privat dhe publik të vendit, si dhe përmirëson strukturën e raportit të financimit midis kapitalit dhe borxhit. Ndër të tjera, zhvillimi i mëtejshëm i sektorit financiar bëhet më i nevojshëm në kontekstin e një tregu financiar evropian, i cili paraqet vëmendje më të ulët dhe prime më të larta rreziku për financimin e vendeve në zhvillim krahasuar me të kaluarën.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet publike duhet të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e ambientit të kreditit, ndër të tjera nëpërmjet forcimit të zbatueshmërisë së kontratave, nëpërmjet zbatimit të procedurave të reja ligjore dhe nënligjore për ekzekutimin e kolateralit, si dhe nëpërmjet përfundimit të detyrave të mbetura nga programi kombëtar për reduktimin e kredive me probleme. Nënshkrimi së fundi i një Memorandumi Bashkëpunimi në fushën e mbikëqyrjes bankare, midis Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës së Shqipërisë, do të ndihmojë shkëmbimin e informacionit dhe do të rrisë sigurinë e grupeve bankare evropiane që operojnë në Shqipëri. Po ashtu, përfundimi i procesit të ristrukturimit dhe konsolidimit të sektorit bankar, një proces i cili ka patur dhe do të ketë vëmendjen tonë të vazhdueshme, është një garanci më tepër në këtë drejtim. Paralelisht me të, zhvillimi i segmenteve të tjera të tregjeve të kapitalit duhet inkurajuar më tej, në mënyrë të

kujdesshme për të shmangur hapat e gabuar dhe në harmoni me normat e standardet mbikëqyrëse e rregullatore të sektorit bankar.

Së dyti, axhenda e reformave strukturore duhet të përshpejtohet më tej.

Faza e dytë e kësaj reforme duhet të synojë përmirësimin e edukimit dhe njohurive të forcës sonë të punës, krijimin e një ambienti ligjor, politik, administrativ e fiskal i cili inkurajon tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxit ato vendase, si dhe rritjen e integrimit të vendit në tregjet dhe infrastrukturën e zhvillimit rajonal e evropian.

Së treti, çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet parë si një instrument parësor i zhvillimit të mëtejshëm të vendit.

Banka e Shqipërisë gjykon se plotësimi i kritereve të çeljes së negociatave dhe ndjekja me rigorozitet e reformave që imponon ky proces duhet të jetë në vëmendjen e të gjithë spektrit politik të vendit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: