TIRANË
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka propozuar për një mandat të dytë Gent Sejkon si anëtar i këtij këshilli. Burime për News24 bëjnë të ditur se në mbledhjen e datës 22 dhjetor Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qëndrore ka votuar emrin e Gent Sejkos për anëtar dhe më 23 Dhjetor ky propozim i është dërguar Kuvendit.
Propozimi për një mandat të dytë si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i hap rrugë kandidimit të Gent Sejkos për t’u rizgjedhur edhe për një mandat të dytë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Sipas Kushtetutës guvenatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
Gent Sejko u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2015 si propozim i vetë Këshillit dhe më tej u votua edhe si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Por përveç Gent Sejkos, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dy vende të tjera vakante pas përfundimit të mandatit të dy antarëve Tonin Kola dhe Natasha Ahmetaj.
Këto anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë. Më herët komisioni i ekonomisë dëgjoi 17 kandidatët e vetë-ofruar. Dy pozicionet vakante duhet të propozohen nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, me mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për secilin kandidat. Deri më tani asnjë nga kandidatët nuk është zyrtarizuar si propozim i Kuvendit.
(BalkanWeb)