Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një komunikim për mediat, duke folur për situatën në vend, deklaroi se pandemia e koronavirusit i ka dhënë goditje të gjithanshme ekonomisë shqiptare.

Sejko u shpreh se gjatë kësaj kohe janë shkurtuar 17 mijë vende pune në mbarë vendin.

“Pandemia e koronavirusit ka goditur ekonominë shqiptare. INSTAT thotë se ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5 përqind, duke rënë eksportet. U rrit papunësia me mbi 11 përqind. Eksportet e mallrave kanë pësuar rënie. Importet u reduktuan me 30 përqind. Janë humbur 17 mijë vende pune. Inflacioni është rritur. Ekonomia shqiptare pritet që të pësojë rënie më 2021.

Aktiviteti ekonomik do të ngadalësohet në tremujorin e dytë dhe t’i kthehet rritjes më 2021. Në gjysmën e dytë të vitit 2021 do të ketë një stabilizim të ekonomisë. Politikat që kemi marrë kanë zbutur krizën. Është rritur borxhi publik. Ekonomia gjithsesi do të varet nga fakti sesa do të zgjasë pandemia e Covid-19”, tha Sejko.

Më tej, Sejko vlerësoi se politika monetare që ndiqet nga BSH do të vijojë që të jetë lehtësuese.

“Kursi i këmbimit vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Kreditë me probleme kanë rënë. Borxhi publik, një kompromis i pranueshëm. Kredia në biznese është shtuar. Politikat sociale, stimul për ekonominë. Qëndrimi aktual i Bankës së Shqipërisë është i duhuri dhe kjo u vendos nga Këshilli Mbikëqyrës. Politika monetare do të vijojë të jetë lehtësuese. Rikthimi i një vale të dytë të pandemisë do të rriste problemet.

Gjatë kësaj periudha, depozitat janë rritur. Gjendja e ekonomisë ka qenë stabël. Depozitat janë rritur dhe gjendja e cash është rritur. Po ashtu, është rritur paraja cash në qarkullim. Planet tona do të jenë në bazë të asaj si shkon gjendja me pandeminë. Sistemi bankar ka reagua në mënyrë pro aktive”, vlerësoi Sejko.

DEKLARATA E PLOTË E SEJKOS
Sot, në datën 1 korrik 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Analiza e informacionit të disponuar tregon se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë tremujorit të dytë. Këto pasoja vijojnë të jenë ende të pranishme. Reduktimi i kërkesës së brendshme e të huaj dhe kufizimi i aktiviteteve prodhuese e shërbyese në vend, kanë sjellë rënie të prodhimit, rritje të papunësisë, dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Megjithatë, sektori bankar i vendit mbetet i shëndetshëm dhe tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se hapja progresive e ekonomisë, lehtësimi i masave të distancimit social si dhe ambienti i qëndrueshëm monetar e financiar i vendit, krijojnë premisa për rikuperimin gradual të aktivitetit ekonomik në tremujorët në vazhdim. Megjithatë, balanca e rreziqeve vijon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se miksi aktual i politikave fiskale, monetare dhe financiare, ofron stimulin e nevojshëm për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv.

***
Pandemia Covid-19 ka ushtruar goditje të gjithanshme mbi ekonominë shqiptare. Pasojat e saj kanë filluar të pasqyrohen tashmë dhe në informacionin e disponueshëm statistikor.

Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare u tkurr me 2.5% në tremujorin e parë të këtij viti, duke pasqyruar rënien e eksportit dhe të investimeve. Po kështu, të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4%.

Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se goditja është forcuar më tej. Eksportet e mallrave u tkurrën me 33% gjatë dy muajve të parë këtij tremujori, në përgjigje të rënies së kërkesës së huaj dhe të pengesave në qarkullim. Po ashtu, importet u reduktuan me rreth 30%, duke sinjalizuar ngadalësimin e shpejtë të konsumit dhe të investimeve në vend, ndërsa të ardhurat buxhetore u tkurrën me rreth 30% në dy muajt e parë të tremujorit, duke pasqyruar rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik.

Përkundrejt kësaj tabloje, inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt prill dhe maj. Norma mesatare e tij kërceu në nivelin 2%, kryesisht si pasojë e goditjeve të përkohshme të ofertës në këtë periudhë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ecuria e ardhshme e ekonomisë do të varet nga kohëzgjatja e pasojave të pandemisë dhe reagimi i agjentëve të brendshëm e të huaj ekonomikë ndaj tyre.

Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual deri në zhdukje të plotë të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ në dy tremujorët në vijim, dhe ti kthehet rritjes në vitin 2021.

Në përputhje me këtë skenar, inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në gjysmën e dytë të vitit. Më tej, ky tregues pritet të shënojë një rritje graduale gjatë vitit të ardhshëm dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.

Kjo ecuri ekonomike do të mbështetet nga një miks akomodues i politikave ekonomike.

Paketat fiskale të ndërmarra deri tani kanë ndihmuar në zbutjen e pasojave të krizës. Banka e Shqipërisë pret një rishikim të Buxhetit për pjesën e dytë të vitit, rishikim i cili pritet të rezultojë në një deficit më të lartë fiskal. Sikundër e kemi thënë, politika fiskale duhet të ketë një rol primar në adresimin e sfidës që po përballemi. Rritja e kujdesshme dhe e përkohshme e borxhit publik është një kompromis i pranueshëm për të zbutur efektin e goditjes në ekonomi dhe për të mbështetur stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.

Paralelisht me të, Banka e Shqipërisë ka adoptuar politika lehtësuese monetare dhe financiare.

Ulja e normës bazë të interesit në minimumin e saj historik si dhe rritja e injektimeve të likuiditetit, kanë mundësuar kontrollin e primeve të rrezikut dhe kanë mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit.

Paralelisht me to, masat rregullatore që kemi ndërmarrë kanë inkurajuar shtyrjen e përkohshme të kësteve të kredisë për klientët në vështirësi si dhe ristrukturimin e kredive për klientët të cilët shfaqin perspektiva solide biznesi, por vështirësi afatshkurtra dhe afatmesme financiare. Gjithashtu, këto masa kanë synuar rritjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe kanë mundësuar furnizimin normal të ekonomisë me para fizike.
Në përgjigje të tyre, tregjet financiare shfaqen relativisht të qeta. Kostoja e financimit të sektorit privat është pranë minimumit të saj historik, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar vijon të shfaqë tregues të mirë likuiditeti dhe kapitalizimi. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në muajin maj, duke shënuar një rënie të mëtejshme krahasuar me tremujorin paraardhës.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar është duke ushtruar funksionin e tij të amortizuesit të goditjeve në ekonomi. Ky sektor ka vijuar të kreditojë sektorin privat të ekonomisë, e në veçanti atë të bizneseve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në muajt prill e maj, rritje e cila ka qenë e pranishme kryesisht në sektorin e bizneseve, duke i mbështetur këta të fundit me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Po ashtu, sektori bankar ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin publik dhe privat.

Duke inkurajuar vazhdimin e këtij roli, Këshilli Mbikëqyrës vëren sektori bankar nuk mund dhe nuk duhet të përballojë i vetëm barrën financiare të goditjes. Në këtë kontekst, një rol primar ka dhe duhet të luajë sektori publik, nëpërmjet rritjes së stimulit fiskal, si dhe sektori privat, nëpërmjet rritjes së kujdesit financiar dhe eficiencës operacionale.

***
Në mbyllje të diskutimeve, duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Për këtë arsye, ai vendosi:

Të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
Të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.
Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit.

Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:

Rikthimi në formën e një vale të dytë të pandemisë;
Krijimi i problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se mundësia e materializimit të këtyre rreziqeve është zbutur, çka redukton nevojën për rritjen e stimulit monetar dhe përdorimin e instrumenteve jo-konvencionale të politikës monetare. Megjithatë, materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare dhe, potencialisht, edhe përdorimin e instrumenteve jo-konvencionalë, gjithnjë në përputhje me kuadrin ligjor cili konturon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb