Nga: ADELAJDA XHAMANITIRANE-Këngëtarja e njohur ko sovare Genta Ismaili, pas nëntë vitesh mungesë vendosi të kthehej në festivalin “Kënga Magjike”. Pikërisht ashtu siç pritej, Genta u shfaq në super formë dhe as këtë herë performanca e saj në skenë nuk mungoi. Genta shfaq besim sa i takon mënyrës së votimit në këtë festival, dhe dëshiron të triumfojë sërish si para shumë vitesh. Tashmë e dimë që këngëtarja është e dashur për publikun, ka fansa të shumtë dhe karrierën e vazhdon me thuajse të njëjtat ritme. Ajo çka ne nuk dimë, dhe është pakëz “shqetësuese”, është jeta intime e këngëtares bukuroshe. U bë kohë që Genta nuk flet as për dashuri, as për fejesë e as për martesë. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, këngëtarja u ka qëndruar sërish larg përgjigjeve për pyetjet rreth ndjenjave dhe ka zgjedhur të flasë me dashuri për punën. Ajo na rrëfen lidhjen e saj me Tiranën dhe se ku do t’i kalojë festat.
Genta, jeni rikthyer së fundmi me një tjetër hit. Na flisni pak më shumë për këtë këngë. Sa kohë është punuar për këtë produksion dhe sa njerëz janë angazhuar për këtë realizim?
Kënga është punuar nga Adi Hila dhe ka ardhur si rrjedhojë e pjesëmarrjes në “Këngën Magjike”. Sigurisht që, propozimin për të marrë pjesë në këtë festival e mora nga zyra ime e menaxhimit. Mund të them se për këngën na është dashur rreth dy muaj kohë, por në fund mbetëm të kënaqur që të gjithë. Shpresoj se edhe publiku e ka marrë ashtu siç kanë pritur.
Kush e zgjodhi këtë temë dhe pse pikërisht këtë tekst?
Teksti i është besuar Egzona Ademit dhe ajo është marrë me të gjitha. Pas disa propozimeve, zgjodhëmkëtë tekst si më të përshtatshmin dhe më të mirin.
Pse zgjodhët të konkurroni sërish në “Kënga Magjike” pas shumë vitesh shkëputjeje nga ky festival?
Siç e kam cekur edhe në një postim në faqen time të rrjetit social “Facebook”, jam rikthyer në këtë festival prestigjioz pas nëntë vitesh për të vetmen arsye, që publikut tim t’ia dhuroj këtë këngë meqë tani unë mbush edhe 10 vite të pandërprera në skenë.
Prisni të triumfoni edhe kësaj here? Triumfi është i mirëseardhur! Mendoni se votat e kolegëve janë vlerësim i sinqertë artistik, apo thjesht dashuri e inate personale?
Nuk e besoj se janë thjesht dashuri apo inate. Unë besoj se do të zgjedhim këngën më të mirë e për këtë nuk dyshoj. Po ju, e keni vendosur kujt do t’ia jepni çmimin e parë? Unë realisht s’i kam dëgjuar të gjitha këngët ende. Po i pres për netët finale, dhe atje do të vendos se cilës këngë do t’i jap pikët maksimale.
Cilat janë komentet që keni marrë për këngën dhe performancën deri tani?
Janë të mirë shumica. Normale që ndodh edhe e kundërta, por fakti që brenda ditës kënga mblodhi 100 mijë shikime, më bën të kuptoj se është pritur shumë mirë.
Kush mendoni që jua ka hequr videon nga “Youtube”? Kush do t’ju bëjë keq?
Videoja nuk është hequr, por, të paktën sipas sqarimit të kompanive, nja dy ditë ka qenë e pamundur të bëhet ‘share’, pra të shpërndahet në “Facebook” dhe të hapet prej “Facebook”- ut, për shkak se është raportuar si ‘spam’, mirëpo tani gjithçka është në rregull dhe në vendin e vet.
Si keni proceduar paskëtaj? Do hidhni njeri në gjyq?
Pasi kemi hasur në këtë problem, është kontaktuar “Facebook” dhe pas 48 orëve gjithçka është rregulluar.
Po eksperienca në “Gjeniu i Vogël” si po shkon? Sa i doni ata fëmijë?
Po shkon shumë mirë. Edhe fëmijët janë shumë të mirë dhe talente të padiskutueshme.
A ju vë në vështirësi roli që keni?
Ndonjëherë po, edhe më ndodh të vihem në vështirësi. Por është diçka që duhet ta bëj.
I mbani vërtet me hatër konkurrentët nga Kosova, siç thonë?
Jo, ata që janë më të mirët mbesin. Nuk ka shumë rëndësi nga janë.
Angazhimet e fundit, sa ju kanë lidhur me Tiranën?
Kam vite që jam e lidhur me Tiranën me projekte të ndryshme dhe, natyrisht, jam mësuar dhe ndihem shumë mirë këtu.
Si është dita juaj kur nuk punoni? Çfarë ju pëlqen të bëni?
Pak pushim. Por, nuk di të kem mbetur ndonjë ditë pa punë.
Vitin 2015, ku dhe me kë do e prisni?
Do e pres në një nga koncertet që kemi organizuar. Si gjithmonë, me fansat e mi.

(a.n/BlueTooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: