NGA GERILINA KODHELI*

Fenomeni i ditëve të fundit është “Shake it”, kënga e Genta Ismajlit, e cila është kthyer menjëherë në himn. Ky projekt, e ka rikthyer në vëmendjen e të gjithëve këngëtaren, e cila prej disa muajsh nuk kishte publikuar një këngë të re. Në bashkëpunim me Etnon, këngëtarja nga Kosova erdhi sa provokuese, aq edhe nxiti imagjinatën. Në këtë intervistë për “Bluetooth”, këngëtarja na rrëfen të rejat më të fundit nga karriera e saj, planet për të sjellë disa këngë të reja dhe gjithçka nga jeta e saj private.

Genta, “Shake it” ka qenë një rikthim mjaft i denjë në vëmendjen e publikut. Je e kënaqur?
Natyrisht, jam shumë e lumtur për mënyrën se si është pritur dhe komentet pozitive që kemi marrë deri tani.

Keni thuajse 3 milionë klikime në vetëm dy javë. E prisje që në fillim gjithë këtë sukses?
Që në momentin e parë që dëgjova demon e këngës u dashurova me të. Isha e bindur se do të pëlqehej edhe nga masa e gjerë dhe i thashë Gencit “Let’s do it (le ta bëjmë)”. Etnon më ftuan në këtë bashkëpunim dhe kemi punuar shumë, me shumë dashuri dhe u shpërblyem.

Jemi në kohën që bashkëpunimet janë më shumë të preferueshme me reperë. Ti pse zgjodhe Etnon?
Djemtë, Genc Prelvukaj dhe Milot Hasangjekaj kanë një stil shumë të veçantë, unë e adhuroj muzikën e tyre. Po e mendoja prej kohësh një bashkëpunim dhe pse jo tani? Për më tepër që kënga e realizuar nga Genci më pëlqeu shumë.

E teksa po shijon feedback-un e “Shake it”, çfarë angazhimesh ke?
Normalisht koncertet kërkojnë pjesën më të madhe të kohës, por jam duke punuar edhe për disa këngë të tjera që do të shohin dritën e diellit në vazhdim. Nuk mund të them për një afat se kur do të lançohen, sepse puna është ende në hapat fillestarë, por po shpresoj gjatë kësaj vere.

Titulli i këngës “Shake it” ishte realisht mjaft provokues dhe ngacmonte fantazinë, por Gentën nuk e pamë aq të zhveshur sa imagjinohej...
Veshja dhe zhveshja është në varësi të idesë së videoklipit dhe asaj që duam të përcjellim nëpërmjet tij. Në “Shake it” dëshiroja të përçoja ndjesinë e festës, të argëtimit dhe të ngacmoja fantazinë.

Shumë nga këngëtaret shqiptare duket se janë vënë në garë për ekspozimin e trupit. Genta duket më e tërhequr në këtë drejtim. Është çështje paragjykimi, apo ka arsye tjetër?
Jo, aspak! Nuk jam paragjykuese, apo gjykuese ndaj të tjerëve. Çdokush bën zgjedhjet e veta dhe atë që e bën të ndjehet më mirë. Nuk dal dot me parulla në lidhje me këtë çështje.

Këtë vit mungove në panelin e jurisë së “Gjeniut të Vogël”. Nuk të erdhi ftesë, apo e refuzove për shkak të impenjimeve?
Nuk isha pjesë e këtij edicioni, pasi kishe mbaruar kontrata.

Cilat janë të rejat nga jeta jote private?
Nuk ka asnjë të re ende. Megjithatë, nuk më pëlqen shumë të diskutohem për këtë, por për muzikën. Jeta ime private nuk është në shitje (qesh).

Thuhet se je prej disa kohësh në lidhje me një amerikan. Është e vërtet?
Jo, nuk është e vërtet. Në Shtetet e Bashkuara qëndroj për shkak të familjes sime dhe të impenjimeve të mia atje, por jo për shkak të këtyre thashethemeve.

Preferon meshkujt shqiptarë, apo të huaj? Me cilët do të martoheshe?
Nuk jam natyrë që bëj ndarje të këtij lloji, megjithatë mendoj se do të martohesha me një mashkull shqiptar.

Cila është femra më e bukur shqiptare sipas teje?
Zana Krasniqi.

Sa e rëndësishme është pamja e jashtme për ty?
Normalisht edhe pamja ka rëndësinë e saj. Përpiqem të kujdesem dhe të jem e kuruar, sidomos në daljet në skenë. Megjithatë nuk jam e fiksuar.

Si e mban Genta trupin në formë?
Nëpërmjet ushqyerjes në mënyrë të shëndetshme dhe aktivitetit fizik, normalisht. Kërcimin e adhuroj dhe praktikimi i tij më ndihmon shumë në mbajtjen e trupit në formë.

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: