Gjykata e Posaçme në Tiranë ka vendosur ditën e sotme të pranojë gjykimin e shkurtuar për ish-ministrin Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

“Bazuar në nenin 405/6 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe Vendimin Unifkues numër 2 datë 29 Janar 2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vlerësim të akteve të hetimeve paraprake, gjykata, vendos pranimin e kërkesës së të të pandehurit Fatmir Mediu për të proceduar në këtë gjykim me procedurën e gjykimit të posaçëm, atë të shkurtuar, pasi çmoi se procesi i të provuarit, në kuptim të fajësisë, pafajësisë, ndryshimit të cilësimit ligjor, konsiderohet i ezauruar pa pasur nevojë për marrjen e provave të reja, nuk ka shkaqe të pavlefshmërisë absolute, apo papërdorshmërisë së provave. Duke pasur parasysh se gjykimi i shkurtuar, si gjykim i posaçëm, eviton fazën e hetimit gjyqësor dhe në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak duke evituar marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to, me pranimin e kërkesës për të vazhduar me gjykim të shkurtuar, dosja e prokurorit kthehet në dosje gjyqësore dhe shërben si bazë në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare të palëve dhe dhënien e vendimit nga gjykata”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala raporton në lidhje me dinamikat në seancë.

“GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj Mediut. Ish- ministri përballet me dy akuza, “Shpërdorim detyre” dhe “Shpërdorim detyre të kryer me bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues”.

Gjykata ka vendosur PRO kërkesës së SPAK pra do nisë gjykimi në themel në lidhje me këtë çështje.

Prokurorët kërkuan kalimin e çështjes për gjykim.

Avokatët e zotit Mediu kërkuan pushimin e çështjes dhe pasi u vunë përballë faktit të kryer për nisjen e gjykimit në themel, kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua.

Ish-ministri Mediu po gjykohet në lidhje me “Gërdecin”, ndërkohë që seanca e radhës është caktuar të mbahet në datën 24 prill”, tha ajo.

Nga jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme në Tiranë ka folur edhe avokati i familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit i cili tha se u mor vesh jo zyrtarisht se gjykata nuk e legjitimoi prezencën e familjarëve të viktimave, por ai insistoi se pjesëmarrja e tyre do jetë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe.

Sakaq, edhe vetë Zamira Durda, familjarja e një prej viktimave tha se do ketë ankimim nga ana e saj për këtë vendim në KLP dhe KLGJ, ndërsa shtoi se “SPAK duhet të shkarkohet”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: