TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka folur sot në 8-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Duke u shprehur se kjo ngjarje e rëndë “është vepër e babëzisë së një grupi njerëzish që vrau e grabiti”, ministrja Kodheli tha se autorët i shpëtuar drejtësisë.

Sipas ministres Kodheli, tashmë vendi ynë ka mbështetjen e aleatëve për ta kthyer Shqipërinë në një vend më të sigurt.

“Kjo është vepër e babëzisë së një grupi njerëzish, që vrau e grabiti dhe i shpëtoi drejtësisë. Për ta kthyer Shqipërinë në një vend më të sigurt, ne kemi mbështetjen e aleatëve si SHBA, Gjermani, etj”, tha ministrja Kodheli.

Ndërkaq, në një tjetër moment familjarët e viktimave të Gërdecit kanë zhvilluar ditën e sotme homazhe në memorialin për ta, duke u shprehur se kërkojnë drejtësinë e premtuar nga Partia Socialiste.

Duke u shprehur se Ministria e Mbrojtjes nuk i ftoi në aktivitetin e organizuar në përkujtimin e 8-vjetorit të kësaj tragjedie, familjarët e viktimave thanë se “kanë 8 vite që tallen me ne dhe nuk japin drejtësi”.

“Të 29 fajtorët janë të lirë dhe ky është një turp. Do kërkojmë drejtësi deri në vdekje. Nuk e njohim memorialin e Ministrisë së Mbrojtjes”, u shprehen familjarët e viktimave të Gërdecit.

TETE VJET NGA TRAGJEDIA E GERDECIT
Sot bëhen 8 vjet nga tragjedia e Gërdecit. Shpërthimi që tronditi fshatin e Tiranës, la të vdekur 26 persona, e 300 të tjerë u plagosën. Shpërthimi që ndodhi në punishten e demontimit të armëve, dëmtoi edhe qindra banesa të zonës përreth.

Ditën e shtunë të 15 marsit 2008, në një “fabrikë” për demontimin e armëve në Gërdec, shpërthimi i tmerrshëm ndodhi në 12:05 të mesditës.

Nga shpërthimi humbën jetën 26 persona. Shpërthimi shkaktoi me qindra të plagosur dhe shumë shtëpi pësuan dëmtime të mëdha. Disa humbën jetën në çast, e disa të tjerë pasi arritën në spital.

Pas shumë seancash, Gjykata e Shkallës së parë tre ditë (më 12 mars) para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, ku asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes.

Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit, që shpërtheu më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: