Policia e Lezhës ka zhvilluar kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Gjatë operacionit të koduar “Miloti”, policia ka arrestuar tre persona, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve “.

Gjithashtu, blutë e Lezhës kanë sekuestruar 1 ekskavator dhe 2 kamionë që shërbenin për të gërryer dhe për të marrë inerte në shtratin e lumit Mat. Në pranga kanë rënë shtetasit Fitim Mziu, Vladimir Pera dhe Mark Lleshi.

Njoftimi i policisë:

Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, gjatë kontrolleve të vazhdueshme përgjatë shtratit të lumit Mat, falë dhe informacioneve të qytetarëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Miloti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

F. M., 43 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin, V. P., 31 vjeç, banues në Lezhë dhe M. Ll., 61 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, tek vendi i quajtur “Ura e Zogut”, në shtratin e lumit Mat, duke gërryer dhe duke marrë inerte me kamionë.

Nga shërbimet e Policisë u sekuestrimi i një ekskavatori dhe i dy kamionëve shërbenin për marrjen e inerteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë Lezhë apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

DVP Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: