TIRANË- Deputeti demokrat Gert Bogdani i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të mbrojnë parkun e Liqenit dhe t’i bashkohen protestës së radhës sot në orë 19.00. “Nuk e di a ka ‘Fate të Kryqëzuara’ sot, por di diçka nëse njerëzit, qytetarët e Tiranës, bëjnë sehir para TV e nuk ngrihen kundër betonit tek Parku i Liqenit, me siguri që do gdhihen në ‘Fate të Betonuara’ nesër! E për këtë nuk do ia ketë njeri fajin, përveç vetes së vet! Shansin e kanë edhe sot në 7 pasdite t’i thonë “Jo” betonit tek Parku i Liqenit!!!”- ka shkruar Bogdani në rrjetin e tij social.

Ndërkohë gjatë mbrëmjes së djeshme deputeti Bogdani ngriti shqetësimin e pranisë së madhe të betoniereve në Parkun e Liqenit: “Deri tani 4 betoniere tek parku i liqenit…për të ndërtuar ‘lodrat’, apo për t’i hapur rrugë betonit në park?! …Turp për ata që heshtin, që flenë gjumë, ndërkohë që betonohet e kafshohet e vetmja mushkëri e Tiranës! …Turp për ato media që janë peng i betonit, e për ata gazetarë që janë peng i pronarëve të mediave! …Turp edhe për ata qytetarë që bëjnë indiferentin, sidomos ata që dalin për vrap çdo ditë në liqen, ata që dalin me biçikleta çdo ditë tek liqeni, ata që dalin me fëmijët, apo edhe ata që dalin thjeshtë me shokët e shoqet, apo të dashurit!

Turp edhe për ata ndërkombëtare që shpenzojnë miliona për ‘ruajtjen’ e mjedisit, por nuk ngrenë gishtin kur ai shkatërrohet në mes të Tiranës! Turp që heshtin para betonit në parkun e liqenit! Parku është i të gjithëve! Betoni është i të paktëve! Turp për këta frikacakë që beton hedhin natën! Respekt për ata të rinj e të reja që kanë kaq ditë që protestojnë, por që fatkeqësisht ende nuk dëgjohen!”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: