NGA ENIDA HIMAJ*

Edhe pse prej shumë vitesh në tregun muzikor, Gerta ka preferuar të qëndrojë larg skandaleve apo lajmeve të bujshme. Megjithatë, këngëtarja ia ka dalë që të vlerësohet për artin që sjell. U beson kompeticioneve muzikore në Shqipëri si të vetmin vend ku mund të ballafaqojë aftësitë e saj në muzikë. Gerta është e pasur, e pasur nga duartrokitjet, nga çmimet, nga dashamirësia që fansat i falin. Ditë të arta po jetën edhe në jetën private, teksa ka gjetur tashmë dashurinë e saj. Prej disa kohësh, këngëtarja simpatike po përjeton një histori të bukur dashurie me kunatin e Aurela Gaçes.

Si po ecën karriera për Gertën?
Karriera ime ka nisur shumë herët, në këtë stad të saj i jam përkushtuar më së shumti muzikës live. Kjo nuk do të thotë që nuk kam plane për të publikuar këngë të miat, po punoj në mënyrë intensive për të realizuar plane dhe projekte të reja.
Përse keni zgjedhur të qëndroni e tërhequr nga klipet?
Për mua është mjaft e rëndësishme të afirmohem si një këngëtare e skenës së vërtetë, i referohem këtu muzikës live. Kjo është arsyeja pse përkushtimi im më i madh i ka shkuar asaj deri më tani. Kjo nuk do të thotë se jam tërhequr nga klipet, i shoh si një mënyrë e mirë për t’u promovuar në treg, kështu që jam duke punuar për t’u prezantuar dhe me anë të tyre te publiku.
Për një artist është më e rëndësishme një klip apo një koncert i kënduar live?
Eksperienca ime dhe ajo e të tjerë artistëve shqiptarë më ka mësuar se ka dy mënyra me të cilat ti arrin te publiku. I pari është me anë të një klipi, me të cilin ti arrin të fitosh popullaritet dhe të njihesh shpejt, kurse me anë të një koncerti live, ti fiton një emër të afirmuar në skenë. Të dyja kanë rëndësinë e tyre në karrierën e çdo artisti.
Sa jeni pasuruar në karrierën tuaj?
Pas çdo daljeje në një skenë, sado e vogël apo e madhe, ti pasurohesh, fiton diçka të re, një çmim, një duartrokitje, apo një falënderim. Unë jam gjithmonë e pranishme në skenë, them që pasurohem çdo ditë.
Ndërkohë, shquheni për pjesëmarrjen tuaj në festivale, a u besoni kompeticioneve në Shqipëri?
Po, është e vërtetë, jam e pranishme në festivale. Unë i besoj talentit, përkushtimit dhe punës. Mendoj se përtej asaj çfarë ndodh në një festival, ajo çfarë mbetet është mënyra sesi ti prezantohesh te publiku, pavarësisht nëse ti vlerësohesh në kompeticion ose jo. Mendoj se kemi skena të mira festivalesh.
Preferoni të jeni e tërhequr nga mediat, përse kjo zgjedhje?
Nuk është një zgjedhje e rastësishme. Më pëlqen që publiku të më njohë nëpërmjet asaj çfarë unë jap në skenë dhe jo të më vlerësojë përmes fjalëve, që shpesh transformohen nga gazetarët për të bërë lajm. Unë i pranoj me kënaqësi ftesat, të cilat më japin mundësinë të flas lidhur me pasionin dhe njëkohësisht punën time.
Ndodh që t’ju kenë dëmtuar mediat me lajmet apo thashethemet mbi ju?
Siç e theksova, përpiqem të jem e matur lidhur me marrëdhënien time me median. Për këtë arsye deri tani nuk kam pasur raste të tilla.
A ka Gerta mikesha kolege, si i keni marrëdhëniet me to?
E vërteta është se kam shumë shoqe, por miket i kam të përzgjedhura dhe kryesisht jashtë sferës së artit. Por, mund të them se me kolegët kam marrëdhënie shumë të mira.
Po rivale keni?
Unë kam një shpirt garues, por që gjithmonë e shfaq në mënyrë pozitive dhe nuk dua ta quaj rivalitet. Kompeticioni në një rrafsh profesional është i domosdoshëm për çdo kënd.
Thonë se seksi shet, a mendoni se seksi shet edhe në muzikë?
Nuk mendoj se jam në pozita të gjykoj askënd. Çdokush zgjedh mënyrën e tij për të promovuar veten.
Si i shikoni këngëtaret e reja që provojnë famën nëpërmjet ekstravagancës?
Nuk është çështje guximi, por zgjedhjeje. Unë preferoj që të prezantoj muzikë për veshët dhe jo për sytë.
A do të guxonit të zhvisheni më shumë për hir të famës?
Kohët e fundit kam parë që muzika po keqkuptohet nga ata që e bëjnë dhe ata që e dëgjojnë. Muzika është art dhe nuk mendoj se ekziston një lidhje me këtë që sapo përmendet.
Ndërkohë, pak kohë më parë keni bërë publike dhe li-dhjen tuaj me kunatin e Aurela Gaçes, si u njohët ju të dy?
Po, e vërtetë, kam zgjedhur të ndaj diçka personale në një rrjet social, i cili më vonë u kthye në lajm. Jemi njohur në ambient të punës.
A keni plane për fejesë, po për fëmijë?
Planet i takojnë të ardhmes, prandaj dua t’i zbuloj në momentin e duhur.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: