Tingujt e një kitare të njohura për shpatet e thikta të Spaçit. Hera e fundit që i dëgjuan ishte më 23 maj 1973. Atëherë, telat e saj vibronin nën gishtat e njomë të një djaloshi 22-vjeçar, Skënder Dajës që po luante melodinë e tij të fundit.

Sot miku dhe bashkëvuajtësi i tij, Gëzim Çela është rikthyer në burgun e Spaçit, bashkë me kitarën, për të kujtuar çfarë ndodhi 45 vjet më parë në këtë vend, midis godinave të burgut të Spaçit. Çfarë ndodhi me ata martirë që tronditën regjimin Gëzim Çela i tregon në dokumentarin e ri “Kitarë e burgosur”, i realizuar nga Fondacioni Kujto.al dhe gazetarja Luljeta Progni që u transmetua në News24.

Gëzimi ka shumë për të treguar mes fjalëve e lotëve… e po ashtu kitara e të burgosurve mes tingujve.
Të shtunën e 19 majit 1973, të burgosurit skllevër u kthyen si çdo ditë të rraskapitur nga puna në minierat e Spaçit, vonë në mbrëmje. Të nesërmen, edhe pse e diel, ata ishin të detyruar të punonin përsëri gjithë ditën. Prej tre muajsh ata nuk bënin asnjë ditë pushim, nuk kishin parë diell me sy: gjithë ditën punonin brenda nëntokës me dy turne, ndërsa natën e kalonin brenda kazermave të akullta.

Gezim Cela (2)
Gezim Cela (2)

Të dielën të gjithë diskutuan me njeri-tjetrin për të mos shkuar më në punë. Ishte një revoltë e natyrshme pasi kishte kaluar çdo cak që mund të durojë një njeri sado i fortë të jetë fizikisht. Në kundërshtim edhe me kushtetutën e asaj kohe, ata detyroheshin të punonin pa pushim në kushtet më të vështira. Ata që kishin përmendur ligjet dhe shfaqnin mosbindje para xhelatëve, e pësonin me një muaj izolim në një birucë të ngushtë.

Një prej tyre ishte Pal Zefi. Të hënë, më 21 maj, Pali duhet të ishte rreshtuar bashkë me të tjerët në orën 6:30 të mëngjesit për t’u nisur drejt galerive, sepse kishte përfunduar një muaj dënim në birucën e izolimit. Por askush nuk po dukej. As shokët e tij nuk kishin dalë të rreshtoheshin.

Përtej rrethimit, vijnë thirrje për t’u dorëzuar, por Skënderi, e as shokët e tij nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Pas vendosjes së flamurit, djaloshi merr kitarën, ngjitet lart mbi tarracë dhe këndon këngë për lirinë, aty ku forcat policore e kanë të vështirë t’i afrohen, sepse trimëria e këtyre djemve i ka stepur.

“Skënderi mori kitarën dhe hipi lart. I thashë Skënder çfarë po bën. Më tha Gëzim të mos dorëzohemi se do na pushkatojnë të gjithë”, tregon ish-i burgosuri.

Për ato 3 ditë, ata rrëzuan sistemin komunist. Regjimi i egër ishte goditur mu në zemër, aty ku dhuna e diktatura ishin në versionin më të egër, në burgun e  Spaçit. Aty ku vuanin dënimin të gjithë ata djem e burra që ishin arrestuar si armiq të popullit.

Ditën e nesërme horizonti nxinte nga forcat e shumta që kishin ardhur me urgjencë për të shtypur revoltën e Spaçit. Mijëra policë e ushtarë të armatosur me automatikë e mitralozë prisnin urdhrin.

Zëvendësministri i Brendshëm, Feçor Shehu dhe zyrtarë të tjerë të policisë e burgjeve, me kërcënimin e armëve i shpërfillën kërkesat e të burgosurve për takim me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, që të bënin të njohura padrejtësitë ndaj tyre dhe urdhëruan shtypjen e protestës me dhunë.

Mëngjesin e 23 majit, ndërsa të burgosurit kishin 3 ditë pa bukë e pa ujë, forca të shumta policore hynë në kamp dhe rreth 370 të burgosur, të lidhur me pranga e zinxhirë u nënshtruan në oborrin e kampit.

“Aty ishin kazanët me zinxhirë na morën dy nga dy e na rreshtuan atje”, tregon Gëzimi. “Përpara sallës ku ishte komanda e Lartë ishte dhe Feçor Shehu dhe kishin një listë të njerëzve që do arrestoheshin. Na morën, përveç se të lidhur vetë, ishim të lidhur dhe me zinxhirë e me litarë të gjithë së bashku dhe na transportuan”, kujton ai.

Po atë mbrëmje u zhvillua një gjyq special për 12 të arrestuarit e parë, katër prej të cilëve u dënuan me vdekje, pushkatim dhe u ekzekutuan menjëherë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Peka dhe Hajro Pashai. “Nuk e dimë ku i kanë futur. Nuk i dimë varret e tyre”, thotë Gëzim Çela.

Kitara në burg
Gëzimi nuk e dinte se ç’u bë me kitarën. Hera e fundit që e kishte parë të strukur nën gjoksin e Skënder Dajës, duke lëshuar tingujt e fundit përballë mitralozëve dhe automatikëve që i kishin drejtuar tytat.

A kishte pësuar edhe ajo të njëjtin fat? A ishte shpuar nga plumbat që shpuan gjoksin e martirëve? Mos ishte kthyer në arkivolin e tyre aty tek gropa e madhe nën qershizë?

Jo. Dikush ishte kujdesur ta shpëtonte kitarën. E kishte fshehur nëpër mbeturinat që la pas revolta ende në tym. Më pas e fshehën në galeri, e disa ditë më vonë kur situata në burgun e Spaçit u qetësua mbërriti përsëri pranë të burgosurve, në dhomën që quhej vatra e kulturës, aty ku për 12 vite, priste çdo ditë që ata të ktheheshin prej errësirës së galerive për t’ju dhënë kurajë me tingujt e saj.

***
Kitara kishte ardhur tek të burgosurit ndoshta jo rastësisht. Ishte viti 1962. Një prej ditëve kur Gëzimi dhe disa të burgosur të tjerë ishin mbledhur në vatrën e kulturës, miku i tij Sotiraq Tase me një mandolinë në dorë, i kishte thënë: a sikur të kishim edhe një kitarë, për ta shoqëruar melodinë me akorde. Në takimin e radhës Gëzimi ia shprehu kërkesën nënës, e cila i premtoi se do interesohej.

Pas dy muajsh kur nëna erdhi përsëri nga Lushnja ku punonte mami për ta takuar, kishte sjellë me vete një kitarë.

Një ditë nënë Roza kishte takuar mikeshën e Gëzimit, Vaçe Zelën, e cila e kishte pyetur se si është Gëzimi me shëndet… Roza i kishte rrëfyer se po kërkonte një kitarë për Gëzimin po nuk po gjente. Pa asnjë hezitim, Vaçja i kishte thënë: I jap unë kitarën time…

Kështu, kitara e Vaçe Zelës shkoi në burg… Ishte një dhuratë e paçmuar për të gjithë të burgosurit në Spaç.

Vajza lushnjare, artistja e madhe me zërin e rrallë, gjithashtu të burgosur iu tregoi me këtë akt se mirësia ekzistonte ende dhe shpresat për lirinë nuk vdesin kurrë.

Kitara e Vaçes qëndroi në burg për 22 vjet. Ajo i shoqëroi të burgosurit nëpër të gjithë kampet burgje ku punonin: Tiranë, Thumanë, Gjorm, Rubik, Laç. Ajo priste çdo ditë të burgosurit, ia u hiqte sado pak mallin për prindërit, motrat e vëllezërit, i ushqente me shpresë e gëzim dhe ju gjendej pranë në ditët e vështira për të mbajtur gjallë shpirtin pavarësisht dhunës, urisë e kushteve t tmerrshme në punë.

Kur Gëzimi u lirua nga burgu në vitin 1965, nuk e mori me vete kitarën. Shokët ju lutën që ta linte me ta dhe Gëzimi pranoi. E, kitara e priti 6 vjet, deri sa Gëzimin e dënuan për herë të dytë dhe pas 6 vitesh u ritakuan përsëri brenda hekurave. … dhe vazhduan të qëndrojnë bashkë edhe pasi Gëzimi u dënua për herë të tretë pas revoltës së Spaçit, deri sa u lirua në vitin 1984.

Sot ajo ndodhet në shtëpinë e tij, pranë kujtimeve për njerëzit e tij të dashur, pranë fotografisë së nënës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb