I ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte piktori i njohur Gëzim Meta.
Gëzim Meta është bashkëshorti i Maria Priftit, vajzës së këngëtarit të njohur korçar Stefi Priftit, dhe në program ai tregoi rreth marrëdhënies që ata kanë së bashku.
“Jemi më shumë si shokë, si vëllezër”, tha piktori, teksa rrëfeu se kur është njohur me Marian nuk e dinte që ishte vajza e Stefit, dhe pasi e mësoi këtë gjë u ndje edhe më i sigurt duke qenë se me këngëtarin njihej më herët.

Piktori Gëzim Meta rrugëtoi nëpër kujtime dhe tregoi se në moshë fare të vogël është zhvendosur me familjen e tij në Gjermani, duke kaluar aty një fëmijëri shumë të bukur. Ai zbuloi se ka qenë i apasionuar pas futbollit por pasi u kthye në Shqipëri kushtet për këtë fushë nuk ishin aq të mira, ndaj i ati i sugjeroi të angazhohej në një tjetër talent që ai kishte, në pikturë, për të cilën kreu edhe studimet në Liceun Artistik. “Futbollin e kisha më shumë qejf, por tanimë jam i bindur që kam bërë gjënë e duhur”, tha ai.

Përveç pikturës Gëzim Meta është edhe aktor dhe gjatë programit ai ndau detaje nga filmat dhe serialet që ka marrë pjesë.
Piktori i njohur u surprizua me një videomesazh nga një nga njerëzit e tij më të dashur, nga halla e tij, “E kam pikë të dobët”, u shpreh ai mes emocionesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: