Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Kosovës, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë nën pushtimin nazist, ka ngjallur debat, pas kundërshtimit publik të ambasadorit gjerman në Kosovë, i cili shkroi se Deva ka qenë bashkëpunëtor i nazizmit. Debati ka ardhur në Shqipëri, ku ai ushtroi detyrën e ministrit gjatë luftës, kohë kur Shqipëria dhe Kosova ishin bashkë. Deva patriot apo gjakatar, opinioni për të është i ndarë në dysh.

“Xhafer Deva ka qenë një nga krerët e kolaboracionizmit në Shqipëri. Kujtojmë masakrën e 4 Shkurtit në Tiranë ku 84 njerëz të thjeshtë u masakruan për të krijuar terror, siç e pranon vetë Xhafer Deva. Politikanët gjykohen nga veprat dhe veprimet e Xhafer Deves kanë qenë antishqiptare, me rrezik të madh për Shqipërinë”, -thotë historiani Pëllumb Xhufi në një intervistë për ‘News24’.

I të njëjtit mendim është edhe historiani Marenglen Kasmi, duke e ndarë opinionin për Deven në Shqipëri me atë në Kosovë.

“Xhafer Deva, ka qenë Ministri i Brendshëm më gjakatar në atë periudhë. Ndërsa në Kosovë shikohet si patriot sepse bashkëpunimi në atë kohë me fashistet a nazistët shihej si garanci kundër serbëve”, -thotë Kasmi.

Ndërsa Xhufi kujton se Deva vinte nga një familje fisnike që del në dokumente që në shekullin e 16, thotë se ai dhe të tjerë bënë një gabim të pafalshëm gjatë luftës. “Jo vetëm Xhafer Deva por edhe kolaboracionistët e Shqipërisë londineze si Mithat Frasheri e Hasan Dosti kanë bërë një gabim të pafalshëm. Edhe pse kanë qenë të gjithë njerëz të mësuar. Në vjeshtën e vitit 1943 të lidheshe me Gjermaninë naziste ishte vetëvrasje sepse Gjermania naziste më 1943 kishte marrë fund. Dhe, ata e dinin shumë mirë se pas çdo lufte vjen konferenca e paqes ku duhet të japësh llogari”-thekson Xhufi.

Deva njihet për drejtimin e divizionit SS Skanderbeg që sipas historianëve nuk pati produktin e pritur. Sa i takon restaurimit të shtëpisë së Devës, shpallur monument e ish-jetimore, dhe qasjes ndaj objekteve të Kujtesës, qëndrimet janë po ashtu të ndryshme. Xhufi vëren se “në asnjë mënyrë Shtëpia e Xhafer Deves, nuk mund të jetë vend pelegrinazhi për të nderuar në mënyrë të gabuar një patriot që s’ka qenë kurrë patriot”.

Ndërkaq, për pedagogen Jonila Godole që përmes Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë ka në fokus kujtesën, debatet historike janë shumë të rëndësishme.

Godole thotë se; “një gjë është të flasësh për rolin e këtyre figurave historike dhe një gjë tjetër është se çfarë do të bëhet me vendet e kujtesës ose shtëpitë. Mua më vjen keq që në Shqipëri nuk patëm asnjë debat kur shtëpia e diktatorit Hoxha në Gjirokastër u restaurua dhe u kthye në muze Etnografik. Ndërkohë shtëpia e diktatorit në Tiranë, Vila 31, është një vend ku bëhen pritje festive, priten delegacione të Bashkimit Europian, kurrë nuk është folur çfarë do të bëhet me të”. Pas ikjes nga Shqipëria me instalimin e regjimit komunist, Sipas Dosjes së CIA-s, Deva bashkëpunoi për shumë vite me antikomunistë të tjerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb