NGA MIRSAD RAKAJ*

SHKODËR- 24 gra dhe vajza që vuajnë nga fenomeni i gjakmarrjes do të bëhen pjesë e trajnimeve profesionale në profile si rrobaqepësi, parukeri dhe kuzhinë. Ky projekt që vihet në jetë për herë të parë mundësohet nga Shërbimin Social Shtetëror Shkodër në bashkëpunim me Zyrën e Punës, Qendrën e Shërbimeve Profesionale dhe prefekturën e qarkut. Sipas Drejtoreshës së Shërbimit Social, Valbona Tula kjo është një sfidë e vështirë por me vullnetin e mirë do të arrihet çdo gjë.

Ndërsa mësuesja që mëson në shtëpi fëmijët e ngujuar Liljana Luani thotë se u arrit diçka shumë e madhe, ëndërr të cilën këto gra dhe vajza e kishin prej shumë kohësh.

Gratë nuk kanë dëshirë të shfaqin fytyrat e tyre nga frika edhe pse kanuni nuk e lejon që të merret gjak në femra. Ata thonë se kjo ka qenë dëshira e tyre më e madhe që të dalin nga shtëpitë dhe të merren me çfarëdolloj pune për të mbajtur familjen.

Kursi i formimit profesional për gratë që vuajnë nga gjakmarrja do të zgjasë tre muaj dhe për transportin e tyre është vendosur një furgon, i cili do të shkojë në pragun e shtëpisë së secilës për ti marrë.

Pothuajse të gjitha këto femra janë nga zona periferike të Shkodrës, aty ku edhe ky fenomen është më i shpeshtë, fenomen ky i cili vazhdon ende të shtrijë tentakulat në shoqërinë shqiptare.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb