Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” kapërceu kufijtë. Gazetari Ferit Lika sjell historinë e trishtë të familjes Shkupi në Gjakovë të Kosovës. Lufta e Kosovës ishte fatale jo vetëm për mijëra shqiptarë që mbetën të vrarë e të zhdukur, por edhe për qindra e mijëra të tjerë që pas lufte mbetën të shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht. Vendi u shkatërrua dhe shtëpitë u dogjën. I tillë ishte edhe fati i Hajdar Shkupit, 57-vjeçarit nga Gjakova. Pasi shtëpia ku jetonte iu dogj nga forcat serbe, fill pas lufte ai u strehua këtu, në këtë gërmadhë, në shtëpinë e braktisur të një serbi, në qendër të Gjakovës.

Gjendja e tyre është tepër e rëndë, punë nuk po gjejnë dot. Jetojnë me çfarë t’u falin të tjerët. Shtëpia nga dita në ditë rrezikon të shembet. Hajdari dhe Valbona kanë tre fëmijë, djali i madh Kreshniku, po përpiqet ta ndihmojë sadopak familjen, por që pas ngjarjes fatale që i ndodhi me vëllain, asnjë mundësi për punë s’po i krijohet. “Pandemia po na i bën shumë të vështirë të kërkojmë punë”.

Ata ishin tre vëllezër, që dilnin e shisnin shkrepëse në rrugët e Gjakovës, për të siguruar bukën e gojës, por fati i Elvirit ishte i njëjtë me atë të shitëses së vogël të shkrepëseve. Elviri ishte me shkrepëse në dorë kur e përplasi makina në tentativë për të kaluar rrugën. Djali po kalonte rrugën duke shkuar në drejtim të një lokali ku donte të shiste kutitë. “Ishte ora 12 e natës në shkurt kur një veturë me shpejtësi përplasi vëllain dhe pasi e gjuajti, ai ra në tokë i vdekur e qëlloi ne kurriz, ende i kam ato skena para fytyrës, ne donin të shkonim në drejtim të një lokali, e kisha vetëm 20 metra larg vëllait”, thotë vëllai i Elvirit. Valbona gjithmonë rri e përlotur, për djalin e saj 8 vjeçar, i cili humbi jetën duke u përpjekur që të siguroji kafshatën e gojës. Kreshniku e përjetoi shumë keq atë ndodhi dhe që prej asaj kohë ai nuk mundi ta bëjë dot më atë punë. Ai nuk mundet më të shes shkrepëse në rrugicat e ftohta të Gjakovës. Valbona e kujton shpesh dhe shpirti i dhemb, kur mendon se i vogli i saj dha jetën për t’i shpëtuar ata prej mjerimit. “E kujtoj shpesh, uroj mos t’i ndodhi askujt”, thotë ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=wCF0yhEVcsE

Ajo mendon se një ditë diçka do të dalë, do të ketë zgjidhje për të, por shpesh i humbet shpresat, realiteti i frikshëm nuk e lë as të ëndërrojë për ditë më të mira.

Hajdari endet rrugëve për të kërkuar ndonjë punë, por as sot nuk gjeti dot. Varfëria është e madhe. Pandemia i ka shtrënguar gjërat. Edhe kreshniku u kthye në shtëpi pa gjetur asnjë punë që të mund të siguronte qindarkat për të blerë një bukë. Për të është shumë e rëndë kjo situatë. Ai del shpesh këtu në ballkon dhe mendon, se si do ti vejë halli i tij, ku të kapet pas diçkaje që ta kapërcejë këtë mjerim. Djali tjetër Kushtrimi është larguar dhe nuk është kthyer ende, të gjithë po shpresojnë nëse ai ka gjetur diçka. Ndërsa Leona përpiqet të bëjë mësimet, por në mes të këtij ftohti nuk mundet, e ka shumë të zorshme. Valbona nis të gatuajë disa fasule që ia kanë falur. Mirëpo rryma nuk mjafton, pasi rrezikon të karbonizohen telat. Kreshniku e kupton menjëherë dhe i kërkon mamasë që ta fikë sobën. Kjo ndërtesë nuk ka pasur energji elektrike. Por Kreshniku me aq njohuri sa kishte e ka sajuar vetë rrjetin elektrik. Kjo është situata në këtë familje, ne po largohemi, por mjerimi mbetet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb