“Më gjeti dhe mua me vjershat e Erenestinës, si Darën e Ri me të bijën e Lalës. Janë të bukura, e plot me gdhenj e gjurmë të një etnografie të folurit të hershme. Poetja gërmon në folklorin e zonës dhe sjell nga andejmi motive e leksikë shumë të bukur. Një ikje ekzotike, ‘larg rrëmujës e rrëmetit”.

Kështu e cilëson Gjovalin Shkurtaj librin më të ri të poeteshës Erenestina Halili që karakterizohet nga një nëndialekt gegnisht epik e lirik.

“Gjama e Erës” libri me poezi më i ri gjëmon në treg duke i dhënë zë Erës, Dheut e Gjamës.
“Erenestina Halili duke u personifikuar si Era, na e solli në strukturë kompakte librin Gjama e Erës që nis me N’t’mjellun e soso me N’t’korrun. Në një farë forme sekush sjell një kumt në lirikën e tij, po kumti i Erenestinës i jep zë, Erës, Dheut e Gjamës”, shprehet në kritikën e tij Adem Gashi.

Pa dyshim, Gjama e Erës është një nga librat më sfidues të Panairit të Librit që po qëndron hapur prej disa ditësh duke pritur miqtë e librit

Vetëm një shije e hollë e lexuesit do të përzgjidhte, poetikën epërore të Erenestina Halilit.
Poetesha Halili ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe kursin akademik të Gazetarisë. Ajo është shquar si gazetare e televizionit dhe e mediave të shkruara, kryeredaktore e TVSH, udhëheqëse e producente e politikës. Sot mban gradën Doktor i Shkencave Filologjike dhe ligjëron në Universitetin nga ku nisi rrugëtimin akademik.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb