I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën në News24, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana sqaroi procedurën se si do të votohet në zgjedhjet e 13 qershorit për të zgjedhur kryetarin e ri të Partisë.

Gjana sqaroi edhe procedurën që do të ndiqet nëse një prej anëtarëve do të paraqitet për të votuar me kartë anëtarësie por që nuk e ka emrin në listë.

“Nëse një anëtar do të paraqitet me një dokument anëtarësie, pavarësisht se nuk e ka emrin në listë, do të paraqitet duke patur edhe kartën e identitetit, do të dorëzojë një fotokopje të kartës së identitetit, do të votojë me këtë kartë anëtarësia, do të futet me një listë shtesë. Pra, do të votojë. Për Tiranën do ta kemi pak më të kontrolluar procesin, sepse degët e Tiranës, janë shumë pranë njëra tjetrës. Brenda një dege në Tiranë, qoftë edhe për ilaritet mund të votojë dy herë, se një që është në Kukës, nuk shkon të votojë edhe në Kukës edhe në Dibër. Ndaj do kërkojmë këtë kopje të kartë së identitetit”. -tha Gjana ndërsa sqaroi se si do të shpallet fituesi në zgjedhje.

”Pjesëmarrja nuk është kusht, fituesi shpallet me 50 %+1 të votave të vlefshme. Numërimin do ta bëjmë në 76 komisione që janë krijuar, besoj rezultatet e para do të fillojnë të dalin nga mesnata, por do të jenë rezultate të marra në mënyrë telefonike, jo rezultati përfundimtar. Për rezultatin përfundimtar do të presim procesverbalet në të gjitha degët e PD-së. Do të jetë numërim publik, në tavolinë do të jenë tre anëtarët e komisionit që janë përcaktuar nga kryesitë e degëve dhe 4 përfaqësuesit e kandidatëv, me qëllim që procesi të jetë i besueshëm. Pati shumë kandidatura këtë  dhe u përcaktuan 4. Pati një diskutim shumë të gjatë në kryesinë e PD dhe u gjykua të shkohet me 4 kandidatë si asnjëherë tjetër në historikun e PD, e madje në dijeninë time edhe të ndonjë partie tjetër në Shqipëri.” -tha Gjana.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb