Izraelitët qëndruan në heshtje për dy minuta sot, ndërkohë që sirenat e alarmit oshëtinin në kujtim të gjashtë milionë hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit.

Trafiku ndaloi, pasi shoferët lanë automjetet e tyre për të marrë pjesë në Ditën Përkujtimore të Holokaustit, dita më solemne e Izraelit.

Televizioni dhe radioja japin vetëm muzikë përkujtimore, ndërsa ceremoni të ndryshme janë programuar të zhvillohen në të gjithë vendin.

Sot, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të marrë pjesë në një ceremoni të vendosjes së kurorave me lule në Memorialin e Holokaustit “Yad Vashem”, në Jeruzalem.

Në prag të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, Netanyahu bëri një krahasim mes regjimit nazist dhe Iranit të ditëve të sotme, duke lëshuar një paralajmërim që “të mos vihet në provë vendosmëria e shtetit të Izraelit”.

Izraeli shqetësohet se rivali i tij i vjetër, Irani po forcon praninë ushtarake në Siri, ndërkohë që lufta civile është drejt fundit.

“Gjatë Holokaustit, ishim të pashpresë, të pambrojtur dhe pa zë. Në të vërtetë, zëri ynë nuk dëgjohej aspak. Sot kemi një vend të fortë, një ushtri të fortë dhe zëri ynë dëgjohet mes kombeve”, deklaroi kryeministri.

Sot në Poloni, qindra hebrenj të rinj nga e gjithë bota do të marshojnë mes kampeve të vdekjes, Aushvic dhe Birkenau për të përkujtuar gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit.

Presidenti i izraelit, Reuven Rivlin do të drejtojë këtë marshim.

Ky marshim në Poloni vjen pasi Varshava kaloi një ligj shumë të përfolur që lejon vendosjen e gjobave ose burgosjen për ata që fajësojnë popullin polak ose shtetin për mizoritë e kryera nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kritikët, përfshirë edhe shumë në Izrael, shprehen se ligji është formuluar në mënyrë shumë të hapur dhe mund të abuzohet me atë për të mohuar përgjegjësinë e Polonisë për krimet kundër popullit hebre.

”Më shumë se 220 000 të mbijetuar të Holokaustit jetojnë aktualisht në Izrael”, sipas Ministrisë izraelite të Financave.

Autoritetet kohët e fundit e zgjeruan përcaktimin e të mbijetuarve të Holokaustit duke përfshirë disa hebrenj nga vendet arabe./ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: