Një sulm vetëvrasës në hyrje të një qendre ushtarake të trajnimit në Kabul, ka lënë të vdekur të paktën gjashtë persona dhe ka plagosur gjashtë të tjerë, kanë njoftuar zyrtarë të sigurisë. Sulmuesi ka shpërthyer bombën jashtë Universitetit për Mbrojtje Kombëtare, Marshal Fahim, në lindje të kryeqytetit të Afganistanit.

Grupi militant, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve, Amaq, që është e lidhur me këtë grup. Shpërthimi ka ndodhur teksa disa zyrtarë ushtarakë kanë qenë duke u larguar nga kolegji, në të cilin kryhen disa nga trajnimet kryesore ushtarake. Ky sulm ka ndodhur pasi përfaqësuesi i talibanëve, është takuar me politikanët e lartë afganë në Moskë, në kohën kur po bëhen përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit gati 18-vjeçar.

Zëdhënësi i delegacionit të talibanëve, Mohammad Sohail Shaheen, u ka thënë gazetarëve pas takimit se janë zhvilluar negociata të suksesshme dhe “shpresojmë se do të vazhdojmë me këtë ritëm në të ardhmen”.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes afgane ka thënë më 30 maj se komandantët afganë kanë liruar 28 të burgosur nga një burg i talibanëve në provincën jugore, Zabul. Në mesin e tyre kanë qenë 16 civilë, dhe 12 anëtarë të forcave të sigurisë. Sipas ministrisë, dy militantë talibanë janë vrarë gjatë operacionit të shpëtimit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: