Sezoni i ri futbollistik nisi me spektakël, gola të shumtë dhe risinë VAR. Megjithatë ka një problem të madh, 6 nga 10 skuadrat e Kategorisë Superiore nuk kanë një stadium të tyre për momentin që t’i zhvillojnë ndeshjet si pritës.

Kukësi, Partizani, Dinamo, Teuta, Kastrioti dhe së fundmi Laçi duhet të gjejnë fushë tjetër. Përjashto Kastriotin që ka zgjedhur Kamzën edhe për këtë sezon, të tjerët janë me sytë nga Elbasan Arena. Për të paktën 1 muaj do të jetë vërtet rrëmujë.

Pas mesit të tetorit, ku të mbarojë ndeshja me Poloninë, Partizani dhe Dinamo do të luajnë në “Air Albania”. Por edhe Kukësi do të kthehet në stadiumin e tij, pasi punimet janë drejt fundit. Ende nuk dihet sa do të zgjasin punimet në “Niko Dovana” të Durrësit dhe Teuta të rikthehet të luajë aty. E njëjta situatë edhe për Laçin.

Tirana, Skënderbeu, Vllaznia dhe Egnatia janë katër skuadrat që kanë stadiumet e tyre, megjithatë, në ndeshjen e fundit në “Selman Stërmasi” u vu re se tapeti ishte dëmtuar shumë dhe nuk është çudi që të ndërrohet. Situata mund të përkeqësohet me nisjen e shirave të vjeshtës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb