Gjashtë persona, përfshirë dy oficerë policie, janë qëlluar për vdekje pas një prite të dyshuar në një pronë të largët australiane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia tha se ata kishin qenë në kërkim të një personi të zhdukur në Wieambilla – 270 km (168 milje) në perëndim të Brisbane, Queensland – kur u qëllua mbi ta. Pas një rrethimi të gjatë, tre të dyshuar u qëlluan për vdekje nga policia. Një fqinj, 58-vjeçari Alan Dare, u vra gjithashtu nga të dyshuarit pasi shkoi në pronë për të parë se çfarë po ndodhte.

Motivi për ngjarjen mbetet i paqartë, thanë autoritetet. Kryeministri Anthony Albanese e quajti atë një “ditë zemërthyese” për Australinë.
Katër oficerë policie – të cilët janë të armatosur në Australi – fillimisht shkuan në pronë të hënën pasdite me orën lokale, pas një kërkese nga policia e Uellsit të Ri Jugor.
Policët Matthew Arnold, 26 vjeç dhe Rachel McCrow, 29 vjeç, u qëlluan për vdekje teksa i afroheshin pronës. Një tjetër oficer pësoi një “çarje nga plumbi” dhe i katërti u arratis pa lëndime fizike, tha policia. Komisionerja e Policisë së Queensland, Katarina Carroll e përshkroi sulmin si një “tragjedi të paimagjinueshme” dhe humbjen më të madhe të jetës së forcës në një incident të vetëm në shumë vite.

“Ata oficerë nuk patën asnjë shans. Fakti që dy dolën të gjallë është një mrekulli”, ka thënë ajo pasi vizitoi vendin e ngjarjes të martën. Oficeri i lënduar – një fillestar i betuar vetëm disa javë më parë – arriti të gjejë një strehim dhe të thërrasë për ndihmë.

Carroll tha se nuk mund të komentonte mbi një motiv të mundshëm ose të thoshte nëse policia ishte “joshur” për të shkuar në pronë, duke përmendur hetimin në vazhdim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb