Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Alket Hyseni ka zbuluar detaje nga ngjarja e Elbasanit ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani disa ditë para zgjedhjeve.

Hyseni thotë se Meta dy ditë më parë kishte bërë thirrje në Elbasan ‘’Gjeni patronazhistët ku të jenë’’.

Ai tregon se më pas u vra me armë zjarri nga grupet paramilitare një patronazhist. Sipas tij, Meta e shprehu se ishte me njërën anë, dhe nga ana tjetër nuk dënoi kurrë aktet e paligjshme të asaj pale.

Hyseni zbulon se Komisioni ka siguruar shkresa ku Presidenti Meta para zgjedhjeve kërcënonte institucionet të vepronin ndryshe pasi pas zgjedhjeve mazhoranca do të përmbyset.

ALKET HYSENI: Të drejtat nuk shkelen vetëm fizikisht.

ROBERT RAKIPLLARI: Cili është akti? Kundravajtje administrative janë të gjitha ato.

ALKET HYSENI: Aktet përfshijnë fjalët, shkresat dhe veprimin.

RAKIPLLARI: Problemi është sa është shkelje e rëndë e kushtetutës?

ALKET HYSENI: Ju bëni analiza. Thoni s’jam dakord me këtë rol të Presidentit. Ne nuk kemi lirshmërinë tuaj të mjaftohemi me kaq. Nëse ka shkelje të Kushtetutës ne duhet ti hetojmë.

ROBERT RAKIPLLARI: Çfarë ka për të hetuar. Analizohet deklarata e Presidentit.

ALKET HYSENI: Presidenti i Gjermanisë për një togfjalësh për forcat gjermane në NATO, ku shprehu se pavarësisht aleancës së NATO ka dhe arsye ekonomike, nisi procedura dhe ai u detyrua të dorëhiqet. Ju jap rastin e Koresë së Jugut. E hetoi Presidentin për pjesëmarrje në zgjedhje. Analizoi disa elemente, pjesëmarrja e Presidentit në zgjedhje është e ndaluar, u mjaftua me dy deklarata në konferencë shtypi ku pyetjet ja kanë bërë gazetarët. Shkelja në Kore nuk ishte e rëndë, e para Presidenti nuk ishte përfshirë, frekuenca nuk ishte e lartë.

Por cili është rasti shqiptar vetëm për zgedhjet? 45 deklarata në media, 19 në emisione televizive, dhjetëra postime në FB drejtpërdrejt për zgjedhjet, duke kërkuar përmbysje, referendum, votë kundër oligarkëve të qeverisë, merrni sfurqe e sëpata thoshte. Rol aktiv të paprecedent të asnjë Presidenti ndonjëherë, jo vetëm në historinë e Shqipërisë.

ROBERT RAKIPLLARI: Gjatë fushatës zgjedhore, a kemi akte të Presidentit që janë në favor të një pale apo tjetër?

ALKET HYSENI: Kemi shkresa, ku i kërkohet institucioneve të mbajnë qëndrim ndryshe. Një aspekt ky. I thoshte veproni tani institucioneve, se kjo mazhorancë do përmbyset, dhe ju kujdesni se gjeni vend ku të futuni.

ROBERT RAKIPLLARI: I ka shkruajtur në shkresë këto?

ALKET HYSENI: Ka shkruajtur, do jetë parlamenti tjetër, do ketë mundësi të bëjë korrigjime të këtyre akteve që po bëni ju. Kemi patur komunikime me institucione, kanë dhënë informacione të vyera. Ju jap një shembull si ajo e Elbasanit. Ajo nuk duhet të ndodhte, dhe aq më pak në hetimin e Komisionit dhe e nxitur dhe motivuar politikisht. Sipas fakteve të prodhuara nga Komisioni, dy ditë para ka qenë Presidenti, duke i thënë gjeni patronazhistët ku të jenë, dhe më pas një patronazhist është vrarë me armë nga grupet paramilitare, që nuk janë dënuar kurrë nga Presidenti. Ai e ka shprehur që është me njërën palë, dhe nga ana tjetër mos dënosh këto akte të asaj pale. Këto janë të provuara nga komunikime me institucione.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb