TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj mendon se opozita e ka jetike të shkojë në propozimet e saj për reformën zgjedhore edhe përtej rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Gjekmarkaj tha në “Real Story” në Neës24 që qëndrimi i ambasadorëve tek dera e opozitës është gabim pasi nuk është opozita ajo që jep garanci.

“Unë mendoj që në situatën ku jemi, edhe nëse do kërkonte qiqra në hell opozita, mendoj që qeveria në këtë pikë ku ka mbërritur besimi tani duhet të kishte nxjerr në ekran dhe qiqrat dhe hellin. Unë besoj që edhe fëmijët kur lindin në Shqipëri qajnë o majtas o djathtas, pra lindin të politizuar. Në këtë aspekt mund të them që ne nuk kemi një administratë të depolitizuar. Ne e pamë më 30 qershor kur opozita nuk mori pjesë, nuk u lejuan komisionerët e saj, tentuan të fusin administratë civile dhe pamë si degjeneroi…nuk u lejuan komisionerët të ishin si dëshmitarë në proces. Çështja është a është një ligj që opozita kërkon, unë mendoj që qeveria po kërkon në një farë mënyre që t’i fitojë zgjedhjet në tavolinë. Sepse 16 mijë komisionerë, administratë civile në një kohë që ne e dimë që administrata në Shqipëri është krejtësisht politike. Ne nuk biem dakord për një Prokuror të Përgjithshëm, për një kryetar institucioni, imagjino për 16 mijë veta. Në këtë kontekst opozita e ka jetike ta ketë përfaqësimin e vet përtej rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Në qoftë se marrim OSBE-ODIHR si referencë, një ndër gjërat që ka thënë është të hetohet dhe shitblerja e votës. Kjo nuk ka ndodhur. Opozitës i mbetet që të ruajë frika vreshtin, ta ruajë me të vetin.
Mua më duket se mund të realizohen të dyja dhe qasja biometrike dhe mund të gjendet formula që të jetë përfaqësimi politik në ruajtjen e votës”, deklaroi Gjekmarkaj.

Ndërsa analisti Roland Lami shprehet se reformat zgjedhore gjithmonë iniciohen nga opozita. “Është logjike që ambasadorët të rrinë më shumë tek dera e opozitës se tek e qeverisë”, thotë ai por kundërshtohet nga Gjekmarkaj i cili shprehet: “Po rrinë gabim sepse opozita nuk mund të japë garanci”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb