Deputeti demokrat, Agron Gjekamarkaj ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Greqisë, Sophia Philippidou.

Gjekmarkaj shprehet se ka njohur ambasadoren me zhvillimet politike në vend, ndërsa shtoi se pushteti po bën përpjekje me të gjitha mënyrat që opozita të rezultojë e tepërt.

Sipas tij kjo mënyrë e çon demokracinë drejt vdekjes.

Më tej ai u ndal edhe tek problematikat me të cilën përballen gazetarët, duke sjellë në vëmendje incidentin e fundit pas Malit të Dajtit, ku gazetarët ishin duke ndjekur ngjarjen e një biznesmenit të parë, ndërsa u përballëm me mungesë profesionalizmi të një polici.

Gjekmarkaj thotë se duke e konsideruar Greqinë një vend mik dhe tejet të rëndësishëm në farketimin e kulturës perëndimore dhe Shqipërinë në takimin me ambasadoren Philippidou i sugjeroi shtimin  e bashkëpunimit  mes universiteteve.

“Sot pata kënaqësinë të pres në Kryesinë e Kuvendit ambasadoren e Greqisë Shkëlqesinë e saj Sophia Philippidou ! E falënderova atë për vizitën dhe interesin që ka shfaqur për tematikat që mbulon komisioni parlamentar i edukimit dhe medias. Megjithëse nuk do duhej të ishte kështu theksova që sot zëri i ambasadorëve është tejet i rëndësishëm për çështjet e demokracisë në Shqipëri! Pushteti po investon gjithçka e gjithkund që opozita të konsiderohet e panevojshme dhe e tepërt ! Kjo strategji e çon demokracinë drejt vdekjes.

Opozita kur proteston i thuhet mos protesto por ankohu tek drejtësia kur ne e dimë që drejtësia në shumë segmente është e kapur nga qeveria duke krijuar frustim tek populli opozitar. Po kaq i shtrova si shqetësime të mëdha gjendjen në RTSH, uzurpimin e këshillit dhe hapjen e garës për drejtor të përgjithshem të këtij institucioni me këshill të paligjshëm, preokupimin për agjencinë e informacionit dhe mundësinë që ajo të shndërrohet në ministri propagande, çështjen e AMA-s ,por edhe rritjen e keqtrajtimeve nga policia e shtetit ndaj gazetarëve siç ishte rasti i fundit me gazetaren e Top Chanel Anila  Hoxha ! Ju përgjigja pyetjeve dhe mora premtimin që për keto probleme zonja Ambasadore do të bisedojë edhe me kolegë të tjerë të BE-së! Duke e konsideruar Greqinë një vend mik dhe tejet të rëndësishëm në farketimin e kulturës perëndimore dhe Shqipërinë po kaq një vend perëndimor i sugjerova shtimin  e bashkëpunimit  mes universiteteve, në përkthimet letrare , në fushën e kinemasë dhe sidomos në trajnimin e studentëve të gazetarisë ku Greqia ka përvoja cilësore”, tha Gjekmarkaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb