Punonjësit e pastrimit të gjelbërimit kanë gjetur këtë të shtunë dy pistoleta, në rrugën “Pjetër Budi”.

Lajmi raportohet për “BalkanWeb” nga gazetarja Dorjana Bezat, e cila thekson se armët janë gjetur pranë spitalit privat, ku merrte mjekim Eduart Lamaj para arrestimit.

Lamaj akuzohet si autori kryesor i ekzekutimit të dy biznesmenëve në Laç, Paulin Gjergji Marku si dhe shokun e tij Bujar Lika (Hasani).

Ndërkohë, për ngjarjen reagon edhe Policia e Shtetit, e cila thekson se armët dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale të vrasjes së biznesmenëve.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna hetimore intensive dhe e pandërprerë për dokunentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.

Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.

Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar.

Vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Kurbin, DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb