TIRANË- Gjenden 6 ditë pas denoncimit si të zhdukur dy adoleshentët amerikanë 14 dhe 17 vjeç, për të cilët u tha se vuanin nga probleme të shëndetit mendor.

Gazetarja Dorjana Bezat duke iu referuar burimeve nga policia, tha për “BalkanWeb” se dy minorenët janë gjetur dje në zonën e Selitës. Ata janë gjetur në gjendje të mirë fizike, nuk kanë qenë të lënduar apo dhunuar.

Mësohet se policia është njoftuar nga qytetarët pas publikimit të lajmit për zhdukjen e tyre dhe menjëherë ka shkuar në vendin ku është sinjalizuar duke marrë adoleshentët në mbikëqyrje.

Ata janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe psikologët për të zbuluar diçka në lidhje me motivin që i shtyu ata të largoheshin nga banesa. Por dy atoleshentët Tadgh Bailey Kay, 17 vjeç, 180 cm i gjatë dhe Tavish, 14 vjeç, rreth 1.50 cm i gjatë kanë preferuar të heshtin duke mos thënë asnjë informacion.

Për çka, mbetet ende mister largimi i tyre dhe vendi ku kanë jetuar për 6 ditë me radhë. Fillimisht “BalkanWeb” raportoi se ata ishin parë për herë të fundit në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë. Nisur nga gjetja e tyre, duket se dy djemtë nuk janë larguar shumë nga vendi ku janë parë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb