FIER-Një i ri është qëlluar për vdekje me thikë në qytetin e Fierit gjatë pasdites së sotme. Mësohet se i riu është gjetur nga kalimtarët në zonën e ‘Zogut të Zi’ pranë gjimnazit ‘Janaq Kilica’.

Ai është transportuar në spital ne gjendje të rëndë, por nuk ka mundur t’i mbijetoje plageve dhe ka ndërruar jetë.  Gazetari Ervis Kuci raporton për ‘BalkanWeb’ se viktima është 16-vjecari Dionis Vrenozi nga Hoxhara e Vjetër.

Adoleshenti është goditur për vdekje me thikë pas një sherri mes tre të rinjeve, teksa policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar  Florian G. rreth 17 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Policia identifikon autorin e dyshuar të plagosjes me thikë në vendin e quajtur “Zogu i Zi” ku si pasojë e plagëve të mara ndërroi jetë shtetasi i plagosur.

Sot në datën 18.10.2018, rreth orës 16:30 ka shkuar në Spitalin Rajonal Fier i plagosur me mjet prerës shtetasi D.V, 16 vjeç, banues në Hoxharë të Vjetër.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, Fier ku pas një sherri mes dy të rinjve ka mbetur i plagosur me thikë shtetasi D.V.

Eshtë shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes shtetasi F.G, rreth 17 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij.

Shtetasi i dëmtuar ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Fier.

Është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Forca të shumta policie nga Komisariati i Fierit dhe nga Sektori për Krimet e Rënda kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po punojnë për kapjen e autorit.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb