Fotoreporteri dhe regjisori i njohur ukrainas, Maksim Levin është gjetur i vdekur, pasi u zhduk muajin e kaluar, sipas huffpost.com.

Trupi i Levin u gjet në fshatin Huta Mezhyhirska, një zonë që është granatuar rëndë nga forcat ruse, nga ku ai kishte raportuar për pushtimin e Ukrainës.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha në një deklaratë se Levin u vra nga të shtënat me armë zjarri nga anëtarët e ushtrisë ruse.

Një hetim për vdekjen e tij është duke u zhvilluar.

Levin, i lindur në Kiev, 40 vjeç, ka lënë pas bashkëshorten dhe katër djemtë e tij.

Ai kishte punuar me shumë media ukrainase si dhe me agjenci ndërkombëtare lajmesh, përfshirë Associated Press, Reuters dhe BBC.

Levin i bashkohet numrit në rritje të gazetarëve që janë vrarë në luftë.

Operatori ukrainas, Yevhenii Sakun u vra kur forcat ruse granatuan një kullë televizive në Kiev.

Kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski dhe kontraktori Oleksandra Kuvshynova u vranë të dy në Horenka, një qytet jashtë Kievit.

Regjisori amerikan Brent Renaud u qëllua për vdekje në Irpin.

Oksauna Baulina, një gazetare ruse që la karrierën e saj të suksesshme si redaktore mode për t’u bërë një reportere kritike ndaj Kremlinit, u vra kur rusët bombarduan Kievin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb