Një automjet është pikasur në Shkopet pak metra larg liqenit, në zonën e quajtur si sektori C. Kanë qenë kalimtarë të rastit të cilët kanë parë automjetin aty dhe kanë njoftuar menjëherë policinë e Matit.

Gazetari Enver Doçi raporton për ‘BalkanWeb’ se askush nuk është afruar tek makina para se të vinte policia dhe prokurori i Matit, pasi dyshohej mos në të kishte njerëz.

Me mbërritjen në vendin e ngjarjes, grupi hetimor zbuloi se në automjet nuk kishte asnjë person dhe se ishte pa targa. Nga verifikimet paraprake sipas lejes së qarkullimit të automjetit që ndodhej në të, ka rezultuar se ai është denoncuar si i vjedhur në Krujë.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse mjeti në fjalë është përdorur për ngjarje kriminale pasi dyshohet se ai është hedhur aty qëllimisht, për shkak se në spitalin e Burrelit dhe atë të Kurbinit nuk është paraqitur askush për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo nuk është hera e parë që në liqenin e Shkopetit hidhen mjete që dyshohet se janë përdorur për veprimtari kriminale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb