DURRËS- Policia e Durrësit është vënë në alarm pas zhdukjes së një 9-vjeçari, por që fatmirësisht është gjetur sot pas publikimit edhe në media të ngjarjes.

Babai i 9-vjeçarit ka njoftuar në News24 dhe ka njoftuar se e ka gjetur të birin me një shokun e tij.

Nëna e 9-vjeçarit, Genta Plaku e ka denoncuar në News24 zhdukjen e djalit të saj Brajan duke treguar se ai nuk ishte parë që prej orës 18:00 të ditës së djeshme.

Nëna e tij tha se ajo së bashku me bashkëshortin ishin në një ceremoni mortore, dhe djali pas shkollës ka shkuar të luajë te lagja në këtë qendër lojërash kompjuterike, pranë Muzeut të Dëshmorëve në Durrës.

Të shqetësuar për moskthimin e të birit në shtëpi, të dy prindërit kanë nisur kërkimin për ta gjetur tek të afërmit dhe të gjithë shokët e vogëlushit, por nuk kishte asnjë shenjë, dhe rreth orës 21:00 kanë bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Durrësit.

“Më ka humbur djali që dje në orën 6 të darkës dhe nuk po e gjej asgjëkundi. Është parë tek një play station. Ka dalë me një shokun e tij, por atë e ka marrë gjyshi dhe ka ikur me të. Shkuam në shtëpinë e tij po ishte e mbyllur. Nuk e gjejmë asgjëkund. E kemi parë në kamera që ka ikur nga play station. Nuk kemi konflikte me askënd. Del luan dhe vjen në orar si gjithmonë, nuk na ka thënë për ndonjë shqetësim.
Është një fëmijë që ka frikë e trembet shumë. Nuk rri kurrë kur errësohet. Ka frikë natën. Si mund ta kalojë vetëm natën?! Kush ta ketë parë të na njoftojë. Jemi njerëz të thjeshtë nuk kemi asnjë konflikt. Unë punoj në rrobaqepësi, burri pa punë, merret me fëmijët. Dje kishim një rast vdekje të afërm dhe nuk ka shkuar ta marrë në shkollë”, ka thënë mes lotësh nëna e djalit.

Pas denoncimit, policia e Durrësit nisi kërkimet për gjetjen e të miturit dhe ka marrë në pyetje banorë dhe persona që mund ta kenë parë të fundit.

POLICIA: DJALI FJETI TEK SHOKU E SOT U LARGUA PËR NË SHKOLLË

Burime nga Policia e Durrësit thanë për gazetaren Klodiana Haxhiaj se 9-vjeçari Brajan Plaku mbrëmjen e kaluar ka fjetur tek një shok i tij dhe familjes së shokut i kishte thënë se është larguar me lejen e prindërve. Ndërsa mëngjesin e sotëm ka thënë se do shkonte në shkollë por nuk ka shkuar. Ndërsa familja e 9-vjeçarit ka deklaruar se ka shkuar tek banesa e shokut por nuk kishte njeri.

Rreth 1 ore pasi lajmi u publikua ne media, policia ben te ditur se femija u gjet dhe se ka mberritur ne banese. Sipas, policise, djali eshte shoqeruar i kapur per dore nga babai dhe ka hyre ne banesen e tij ne Durres.


Dëshmia e gjyshit pasi u gjet fëmija

E takuat nipin?
Po, po eshte ne shtepi
Cfarë ju tha?
C’kini tha, isha për darkë tek shokët. Ndejta te shokët, pse u bëtë aq merak, unë nuk ika larg
Në shkollë nuk shkoi?
Jo nuk shkoi. Shokët e klasës e gjetën
Ku e gjetën?
Pasi u sensibilizua media, shokët shkuan dhe e gjetën dhe e sollën në shtëpi. Kjo që ndodhi, mos i rëntë kujt, por përderisa u gjet, na duket sikur ka lindur për herë të dytë. Jemi të lumtur.

Fëmija merret në pyetje nga Policia
Gazetarja Klodiana Haxhiaj bën të ditur se pak pasi mbërriti në shtëpi, fëmija u mor nga policia me makinë dhe nën shoqërinë e psikologes u mor në pyetje. Fëmija ka treguar se ku ndodhej 20 orëve që qëndroi larg familjes.

(m.k/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb