Që prej ditës së djeshme ka nisur debati përse Qeveria ende nuk kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Mëngjesin e sotëm kryeministri u shpreh se në dy qarqet do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme. “Do shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni shtjellojnë, duke nisur nga natyra dhe perimetri i situatës do të jetë gjendje e jashtëzakonshme për dy rajonet e prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, Tiranën dhe Durrësin.

Por për atë që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash, por e një sërë masave. E thashë dje dhe e thotë dhe historia jonë. Pasi çështjen financiare se kemi lënë asgjë mangët. Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që tu nënshtrohen këtyre masave. Gjendja e jashtëzakonshme, për një periudhë 30 ditore, ka hapësirat dhe detyrimet për ata që duhet ta qeverisin atë. Mbase nuk do u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar, pasi ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, pasi Shqipëria ishte në lot”, tha Rama.

Por sipas Kushtetutës, çfarë ndodh kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Sipas Nenit 173 të Kushtetutës, gjendja e jashtëzakonshme vendoset nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave në rastet kur cënohet rendi kushtetues dhe siguria publike ndërsa Neni 174 i Kushtetutës thotë se “për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.”

Në bazë të asaj çfarë thotë ligji, deri me 27 dhjetor do të ndërpriten të gjitha nismat ligjore, përfshi këtu edhe atë për shkarkimin e Metës. Nga ana tjetër gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, në zonat ku ajo është shpallur nuk mund të organizohen tubime nga qytetarët. Mbetet për t’u parë nëse pas kësaj, Meta do të anulojë tubimin e thirrur në 8 dhjetor, tubim tashmë që i ndalohet me ligj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb