Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti, u trajtua historia sa e bukur, aq edhe e trishtë, e Dritan Krecit, infermierit shqiptar që shërben prej 17- vitesh në shtetin e Italisë.

E nisi karrierën e tij në nëntor të vitit 2003, të punojë në spitalin Uboldo në repartin e nefrologjisë. 38- vjeçari, babai i një fëmije 11 vjeç, ka përfunduar studimet e masterit në La Sapieca të Romës.

Dashuria për profesionin dhe pasioni për punën do t’i rrezikonin jetën Dritanit, pasi ai një ditë mësoi se ishte infektuar me Covid-19.

Çfarë ndodhi më vonë me Dritanin, si e morën vesh lajmin e tmerrit familjarët dhe bashkëshortja e tij. Ku ndodhet sot 38-vjeçari dhe si është gjendja e tij shëndetësore. ju ftoj të ndiqni emisionin.

Pjesë nga intervista:

Si ndodhi shtrimi në spital pas 12 ditësh temperaturë dhe dhimbje të forta trupi?
Vazhdonin dhimbjet, temperature. Shkova në spital në 5 të mëngjesit, mora ambulancën. Atje bëra analizat, të parat ishin optimiste, por duke bërë dhe një grafi doli që isha pozitiv, por jo shumë e qartë. Në atë moment nisa terapinë, antibiotikun. Për tri ditë fillova me antibiotikë dhe një anti-reumatoidë, që mbyll toksinat. U ktheva në shtëpi, por ditën tjetër situata ishte më e vështirë. Vajta në spital, ku tashmë ishte shumë e vështirë të gjeje vende.

Situata ime ishte e vështirë, por ja dola vetëm me oksigjen normal. Në spital qëndrova tetë ditë. Të martën dola nga spitali. Deri të premten që isha i shtruar kisha cdo ditë përsëritje të temperaturës mbi 38. Nga e premta jam pa temperaturë. Ti kur ngelesh pa temperaturë 72 orë mund të dalësh nga spitali. Gjithashtu, edhe dhimbjet e përgjithshme filluan të ngadalësohen. Në fundjavë pata një dhimbje koke, por e kalova me një paracetamol.

Tashmë e ke lënë spitalin, ke marrë dhe pajisjen e oksigjenit në shtëpi?
Po, e mora për siguri. E kam përdorur vetëm natën e parë kur erdha në shtëpi, kuptohet edhe nga ankthi.

Sa do qëndrosh në shtëpi?
Deri më 12 e kam të mbuluar nga shteti, por në punë duhet të kthehem më 15.

Pas sa ditësh që mund të jesh infektuar u shfaqën shenjat e para?
Inkubacioni është deri në 9 ditë, unë e kam pasur në ditën e 5 ose të 6.

Kur e mësoi familja?
Meqenëse isha në rang të parë për sëmundjen, ata ishin të shqetësuar. Ata e mësuan të nesërmen gjendjen time, i pari ishte babai, pastaj të tjerët.

Kush e përjetoi më keq?
Të tërë, babai ishte ndër të parët, motra, vëllezërit, nipërit, se kam shumë nipër që e njohin situatën dhe kishin më shumë frikë.

Si u ndjeve që 30 mjekë shqiptarë erdhën për të ndihmuar atje?
Ata kanë bërë jo vetëm krenarë shqiptarët, por janë për t’u admiruar. Jo se ata do i shpëtojnë italianët, por thjesht ideja që erdhën. Mua këtu nuk më mungoi asgjë, por e mendoj çfarë mund të ndodhë në një familje në Shqipëri.

Si e mendon rikthimin në vendin e punës?
Rikuperimi është shumë i vështirë, por besoj që nga mesi i muajit do jem në gjendje normale.

Ke frikë nga riinfektimi?
Për fat të keq, ndodh që ky virus të të prekë dy herë. Unë do vazhdoj të jem i kujdesshëm, si për vete, edhe për pacientët.

Kush frika jote më e madhe?
Mos t’ia kaloj virusin vajzës dhe nuses.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb