Në kuadrin e zhvillimit të leksioneve të hapura nga ekspertët më të mirë, në universitetin “Luarasi” është mbajtur një leksion në fushën e sistemit të sigurisë kombëtare. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Bardhyl Kollçaku ishte i ftuari special i cili në një bashkëbisedim interaktiv u foli studentëve të masterit profesional për “Sigurinë dhe Rendin Publik” mbi çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

Gjatë leksionit ushtaraku i karrierës me një eksperiencë mbi 30 vjeçare vuri theksin në misionin dhe rolin e Forcave të Armatosura, mjedisin e sigurisë, sfidat e së ardhmes, riskun si dhe çështjet e sigurisë së Ballkanit Perëndimor.

Sipas gjeneralit terrorizmi është një rrezik global dhe asnjë vend s’është i imunizuar prej tij. Kollçaku më tej sqaroi të gjitha masat që duhet të marrim në nivel kombëtar, rajonal e global për mbrojtjen nga kjo e keqe e përgjithshme.

Mungesa e stabilitetit politik, ekonomik dhe social prodhon valë emigracioni ku Shqipëria përdoret si rrugë alternative nga vendet e lindjes për t shkuar drejt Europës. Për gjeneralin Bardhyl Kollçaku, vetë emigracioni nuk përbën kërcënim, por elementët kriminalë, trafiku i drogës dhe armëve që mund të përpiqen të depërtojnë në valët migratore, janë rrezik potencial.

Gjenerali është ndalur edhe në çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës ku ka theksuar se ky shtet i pavarur ka krijuar institucionet e sigurisë. Kollçaku ka vlerësuar zhvillimet progresive të Kosovës në të gjitha drejtimet.

Gjatë bisedave interaktive me studentët e “Luarasi” Kollçaku ka bërë me dije se së shpejti do të krijohet njësia kibernetike ushtarake për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm.

Aktualisht, masteri profesional 1 vjeçar në “Sigurinë dhe Rendin Publik” në universitetin “Luarasi”  është i vetmi program që ofrohet për këtë fushë studimi në Shqipëri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb