Me ftesë të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, sot në Kosovë do të arrijë për një vizitë gjenerali amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, Wesley Clark.

Gjeneral Clark do të pritet në Ministrinë e Mbrojtjes në nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror.

Pas takimit, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe gjeneral Clark do të mbajnë konferencë për medie.

Gjatë ditës gjenerali Clark do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ), e cila ka nisur më 24 mars, 1999, dhe ka përfunduar më 10 qershor, 1999.

Ndërhyrjes i kanë paraprirë luftimet midis forcave të atëhershme ushtarake dhe policore serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe vrasjet, dëbimet dhe persekutimet masive të shqiptarëve të Kosovës, në periudhën 1998-1999.

Vendimi për ndërhyrjen e NATO-s, pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara, është marrë pas negociatave të pasuksesshme midis delegacioneve të Kosovës dhe RFJ-së në Rambuje dhe Paris, në shkurt dhe mars, 1999.

Sulmet e NATO-s në ish-Jugosllavi kanë zgjatur 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u ka dhënë fund luftimeve dhe ka çuar në largimin e forcave serbe nga Kosova.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb