Që është fakt se çmimi i karburantit u ul prej presionit të protestës, këtë nuk e luan as topi. Ka që prej shtatorit që karburanti rritet. Nga 170 shkoi 265. Tani gjeti të kujtohet qeveria të reagonte?

Padyshim që protesta, sidomos ajo e së shtunës së kaluar, i dha një mesazh të qartë Ramës, i cili pas këtij momenti, vetëm në frigorifer nuk na doli, se në çdo media, portal, Fb, ishte i pranishëm 3-4 herë në ditë. Pse nuk ndodhi kjo më parë?

Masat e marra nga qeveria janë të pamjaftueshme, ama kjo protestë uli me 60 lekë karburantin, bëri që qeveria të përshpejtonte me disa muaj, disa masa, që qytetarët do i përfitonin gjithsesi, duke qenë se ishin parashikuar në buxhetin e shtetit.
Gjithashtu, disa pensionistë, ata me pension nën 150 mijë lekë, do merrnin për 3 muaj, 30 mijë lekë, ose “një kafe në ditë”.

Nëse mendoni se kjo protestë dështoi, jeni gabim, ose në mos gabim, kërkoni qëllimisht ta quani të tillë, për interesa të tjera. Ka individë që e kanë cilesuar protestën të kapur nga Soros, disa të tjerë nga Rusia, disa nga Foltorja, disa nga Meta, disa nga Basha. Secili ka teorinë e tij konspirative.
Aq e kapur ishte protesta nga këta individe, sa që nuk kishin as para për të mbajtur me benzinë gjeneratorin, i cili na u fik disa herë, pas mbarimit të benzinës. Fonia, mesa kam mësuar, dhe gjeneratori, është mundësuar nga kontribute të qytetarëve. Dikush jepte 10 mijë, dikush 20 mijë, dikush 50 mijë, apo edhe më shumë për të mbajtur “gjallë” zërin e qytetarëve që vinte nëpërmjet bokseve, dhe gjeneratorit, që furnizonte me energji foninë.

Nuk kuptohet e gjithë kjo “energji” e disave personave, të cilët protestën e ndoqën nga TV dhe nuk zbritën në shesh, për ta quajtur protestën të dështuar.

Protesta lindi si reagim ndaj situatës së papranueshme me të cilën po përballeshim. Lindi si nevojë për të ndalur vjedhjen dhe abuzimin që po bëhej mbi njerëzit; me karburantin, ushqimet e shportës, shërbimet e tjera. Nuk lindi për të rrëzuar Ramën.

Nëse besuat se kjo protestë ishte për të rrëzuar sistemin, e keni shumë gabim. Sistemi nuk rrëzohet me një protestë të tillë, kur jo më pak se disa javë më parë, në kulmin e rritjes së çmimeve, PS mori 5 bashki nga 6.
Nëse ju nuk “revoltoheni” me votë, çfarë prisni nga sheshi? Ti shkon e voton, ai fiton dhe me mbi 100 mijë vota më shumë dhe t’i kërkon ta rrëzosh? E pamundur! Nëse doni përsëritje të “21 janarit”, atë gjak e kërkoni diku tjetër, jo në këtë protestë.
Nëse doni rrëzim të sistemit, atëherë kjo i takon studentëve, prindërve, punonjësve të administratës, binzesve, të gjithëve.

  • foto galeri
  • foto galeri

Bëni përgjegjës organizatorët e protestës, ata që bënë thirrje në rrjetet sociale?
Ç’faj kanë ata? Disa u kërkonin që protesta të ishte qytetare. Disa kërkonin përshkallëzim.
Ai shesh si asnjëherë më parë ka mbajtur, të majtë, të djathtë, ekstremistë të të dyja kampeve, njerëz pa parti, shtresë të mesme, etj.
Mendoni se nga këto grupe do dilnin qëndrime të unifikuara?

Protesta nisi qytetare. Iu dha kohë Ramës të merrte parasysh kërkesat e protestës. Nëse jo, u lajmërua përshkallëzim. A u ndoq nga njeri?

Atëherë çfarë prisni të bëjnë ata që bënë thirrje për protestë?
Keq këtej, keq andej!
Nuk është faji i tyre jo. Kjo është në përgjegjësi të çdokujt, në ndërgjegje të gjithësecilit, nëse kërkon që zëri i tij/saj të dëgjohet. Dhe kjo është të protestosh. Ndryshe, zgjidhni të përballeni me krizën dhe paguani faturën.

Kjo ështe ajo çfarë kam parë unë deri më tani, në 8 ditë protestë.

Por përtej shpifjeve, axhendave për ta quajtur protestën të dështuar, vrerit, kjo protestë do të vazhdojë. Qytetarët pritet të mblidhen përsëri poshtë zyrës së Kryeministrit për të kërkuar që kërkesat e tyre të merren parasysh. Këtë barrë s’mund ta mbajnë vetëm njerëzit, por edhe qeveria, duke marrë masa konkrete dhe jo masa që shërbejnë vetëm për të shfryrë protestën. Sepse nëse masat nuk do japin efektin, qytetarët do të mblidhen edhe më të shumtë.

Osman Stafa gazetar në “News 24”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: