MYNIH – Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i ka konfirmuar homologet se tij gjeorgjiane, znj. Tamar Beruchashvili, njohjen e sovranitetit territorial të Gjeorgjisë dhe ka mbështetur, aspiratën e integrimit të këtij vendi në NATO. Ky rikonfirmim vjen pak ditë pasi Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli, njoftoi përfshirjen e Shqipërisë në misionin ushtarak të NATO-s në Gjermani.

Ministri Ditmir Bushati u takua me znj. Beruchashvili në Konferencën e 51-të të Sigurisë, e cila zhvilloi punimet në Mynih. Në të ishin të pranishëm Kryeministra, Ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, drejtues të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe personalitete të politikës botërore. Në fokus të punimeve të këtij viti ishin sfidat e sigurisë ndërkombëtare, rendi botëror, gjeopolitika paqësore, e ardhmja e terrorizmit, Lindja e Mesme.

Gjatë punimeve të Konferencës, Ministri Bushati zhvilloi disa takime dypalëshe me homologët e Gjeorgjisë, Katarit dhe Asistent Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland. Gjatë takimit me Ministren e Jashtme të Gjeorgjisë, znj. Tamar Beruchashvili, Ministri Bushati shprehu kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, si dhe nënvizoi se ekziston një bazë solide që këto marrëdhënie të thellohen më tej.

Si pika prioritare të zhvillimit të bashkëpunimit dypalësh, Ministri Bushati përmendi plotësimin e kuadrit ligjor dhe bashkërendimin e përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve. Ministri Bushati konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin territorial të Gjeorgjisë si dhe përgëzoi dhe mbështeti kolegen Beruchashvili për aspiratën e integrimit të Gjeorgjisë në NATO. Ministrja Beruchashvili e falënderoi Ministrin Bushati për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë si dhe e ftoi Ministrin Bushati që të zhvillojë një vizitë në Gjeorgji.

KATARI OFRON NDIHMË PËR ZONAT E PERMBYTURA NË SHQIPËRI

Ministria e Jashtme ka njoftuar sot se Bushati zhvilloi një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Katarit Dr. Khalid Bin Mohammad Al Attiyah. Dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe mundësitë e intensifikimit të këtij bashkëpunimi kryesisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve katareze në Shqipëri. Më tej, Ministri Bushati e njohu me vështirësitë e ditëve të fundit si pasojë e reshjeve të shiut në Shqipëri dhe mori mbështetjen e autoriteteve katareze për të ndihmuar në përballimin e situatës.

IMG_9527

SHBA, NULAND VLERËSON PROGRESIN E SHQIPËRISË

Gjatë punimeve të Konferencës, Ministri Bushati u takua me Asistent Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Victoria Nuland. Palët vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe si shumë të mira dhe të një rëndësie parësore dhe strategjike. Ministri Bushati shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA-së, në drejtim të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë. Ministri Bushati dhe znj.Nuland diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në Ballkanin perëndimor dhe situatën e sigurisë në Evropë e më gjerë, si dhe sfidat e reja të luftës kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

IMG_9546

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh në fushën ekonomike, Ministri Bushati nënvizoi masat e marra nga qeveria për përmirësimin e klimës së investimeve dhe theksoi se Shqipëria mirëpret rritjen e pranisë së kompanive dhe ekspertizës amerikane në vend e në rajon.

Nga ana e saj, znj. Nuland vlerësoi progresin e Shqipërisë, reformat për forcimin e shtetit ligjor, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar vijimin e mbështetjes për Shqipërinë në të gjitha proceset demokratizuese dhe integruese. Ajo shprehu vlerësimet për angazhimet konkrete dhe kontributet e Shqipërisë në krah të Shteteve të Bashkuara.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb