Nga Fatmira Nikolli*

Prof. Gjerak Karaiskaj është një ndër njohësit më të mirë të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Specialist e historian monumentesh, ai ka botuar librin “Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri”, një botim që e bën atë njohësin më të mirë të mureve të trashëgimisë, nga jugu në veri.

“GSH” iu drejtua për të marrë mendimin e tij për murin e Butrintit. Zyrtarisht, nuk pranohet që heqja e bimësisë të ketë qenë arsyeja që ka çuar në shembje të tij. Megjithatë Karaiskaj, duke e marrë si arsye hipotetike, thotë: “Në qoftë se kanë hequr vegjetacionin për të pritur derisa të bëhet tenderi, është njësoj si të zhveshësh njeriun në mes të dimrit, për ta vizituar në spital, e të presësh sa të mbarojë konkursi për përzgjedhjen e mjekut që do ta vizitojë…”. Mandej, kur profesori vihet në dijeni se, sipas drejtuesve të Parkut, një ndër arsyet ka qenë ndërhyrja në Mesjetë, Karaiskaj, jo pa u habitur shton: “në qoftë se nuk është problemi i vegjetacionit, por e ka fajin Mesjeta, mendoj se nuk duhet akuzuar Mesjeta, se atëherë kanë qenë më të aftë sesa ne për të ndërhyrë te monumentet”.

Kur e pyet pse, Karaiskaj thotë: “Po ju jap një shembull: Te kisha e Mesopotamit, që ishte në rrezik shembjeje, mesjetarët ndërtuan një kontrafortë, e cila e mbajti monumentin deri në ditët e sotme. Restauratorët ‘moderne’ e hoqën kontrafortën dhe kisha është duke rënë…”.

Megjithatë, pyetjes, pse ra ai mur, Karaiskaj i përgjigjet se, shkaqet që çojnë në rënien e mureve janë të njëjtat shkaqe që bëjnë të bien edhe shtëpitë: tërmetet, erozioni, mos-mirëmbajtja etj. “Në rastin e mureve të Butrintit unë mendoj se shkak është bërë mosmarrja seriozisht në mbrojtje e këtij siti, pasuri botërore. Nga biletat që priten në Butrint, fitohet një shumë e konsiderueshme parash. Mendoj se do të mjaftonte një pjesë e vogël e kësaj shume për të mbrojtur muret e Butrintit”, – shprehet specialisti. “Nëse atje punohet vetëm një muaj në vit, në kohën kur trajnohen punëtorë e specialistë, edhe këta nga të huajt me fondet e tyre…, eksperienca e fituar gjatë këtij muaji duhej të shërbente për të vazhduar punën gjatë gjithë viti. Edhe kjo punë kërkon të udhëhiqet nga specialiste të asaj fushe. Sipas mendimit tim, duhet parë komplet legjislacioni që mund të ndihmojë, apo që e përkeqëson gjendjen. E thënë thjesht, muret kanë rënë, bien e do vazhdojnë të bien nëse nuk merren masa, nga paaftësia si dhe mospërdorimi i fondeve në shërbim të tyre”, e mbyll ai mendimin e tij për “GSH”.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb