At Vitor Demaj*

At Gjergj Fishta vdiq me 30 dhetor 1940 në orën 0.45. Si përkujtim të dekës së tij, po paraqesim ketë reflektim përmbi artikullin “Kultura” botue në vjetin 1930 në të përkohëshmen Hylli i Dritës.
Revista zamadhe Hylli i Dritës në vjetin 1930 fillonte për të dytën herë, mbas nji nderpremje prej trazimesh politike që kishin ndodhë në vjetin 1925 e në vijim, shtegëtimin e saj në kulturën shqiptare. Vijon me kryeartikullin “Kultura” të P. Gjergj Fishtës. Jo rasisht e kishte zgjedh Fishta kulturën për me vijue Hyllin e “rigjetun” të tij në rrugën e mbetun përgjysë.

Kultura u jep dritë kombeve mbarë, shpërndan errësinat e zemrës dhe të mendes së njeriut e nxjerrë atë prej egoizmit të shfrenuem në lidhni me njerëzit e tjerë, me të cilët i takon me kalue jetën e përditëshme. Pra, kultura i bjen të jetë nji dritë që lëshon rrezet e saj ndryshuese e trasformuese të gjithçkaje që hyn brenda horizontit të saj. Janë rreze që përveç dritës që sjellin, ato kanë vetin e nji fuqie ndryshimi të reales (kensís) për rreth tyne.

Fjala kulturë si terminologji vjen prej latinishtes colere e cila merr shum vështrime, si përshembull, kultivim i urtësisë, kult hyjnor, respekt, përkujdesje dhe dashtëni të pastër ndaj njerëzve, edukim, punim tokash, banim, etj. Kultura âsht e lidhun ngushtë me jetën e njeriut, atë shpirtnore e mendore. Fillimisht për Grekët e deri në kohët moderne kultura nenkuptohej si edukim e formim i njeriut, i botës së tij shpirtnore, i vlerave morale dhe etike. Fryt i botës shpirtnore e i edukimit të brendshëm, lind bota e jashtme, ajo e qytetnimit e rregullit, e harmonisë ndërmjet elementash të ndryshëm. Grekët e moçem i jepshin randësi të posaçme “paidea-s”, formimit, dhe edukimit të njeriut në bazë të së mirës si e vërtetë absolute e si masë gjykimi për veprimet tona. Kultura përveçse aspektin individual, kishte edhe dimen-sionin e bashkësisë, për vet faktin se njeriu nuk mund të formohet e të edukohet i vetëm, pá praninë dhe ndihmën e ndërsjelltë të të tjerëve. Ai formohet dhe edukohet në bashkëveprim dhe në komunikim të vazhdueshëm me të tjerët. Ndër të tjera, kulturë do të thotë zhvillim mendor e shpirtnor të njeriut si kenie personale e të kenunit të tij i shoqnueshëm me të tjerët. Njeriu i kulturuem âsht njaj që shëndrron në të mirë gjithçka vrojton në mjedisin ku ai jeton. Bash si puna e bujkut i cili e pastron token prej bimëve të egra, e punon dhe mbjell atë, tue marrë mandej frytin në kohën e pjekunisë.
Át Gjergj Fishta, tue vlersue randësinë e kulturës si mundësi e vetme ndryshimi e zhvillimi të fuqive tona individuale, shpirtnore, kulturore, ekonomike, shoqnore e politike i fton lexuesit e së përkohshmës ta marrin seriozisht randësinë e saj si mundësi e vetme përparimi si në pikpamje të qytetnimit e asaj atdhetare.

Ai i jep nji percaktim brilant të kulturës: “Mbas kuptimit të sodshem, fjala “kulturë” shenjon të permbledhunt e të gjith aktivitetit shpirt-nuer kolektiv të nji populli, si në lamë të ditunís e t’artit, si edhč në pikpamje të perparimit moral e materjal në jeten shoq-nore e individuale të nierit, që, tue ia bâ ktij të letë e t’andshme ekzis-tencen fizike, ta bâjë sa mâ t’aftë me iu kapë qellimit të vet, që âsht: lumníja” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, Përg. Persida Asllani, Botime françeskane, Shkodër, 2006, f. 226).

Kultura përmbledh në vetvete aktivitetin moral të individëve si dhe të shoqnisë, e cila shfaqet ndër lamije të ditunisë e në të gjitha përpjekjet perparuese të njeriut në jetën e tij personale e atë publike. Nji popull kushdo kjoftë ai, matet prej shkallës së kulturës që ká, prej përparimit të tij moral si në jetën individuale e atë shoqnore, në atë materjale, në arte, shkenca ekzakte, shkenca humane e në zhvillimin ekonomik.

Fishta për lexuesin paraqet nji shembull zhvillimi që i vjen kombit prej mentalitetit të shndërruem në sajë të kulturës. Merr si krahasim rrugën që lidhte Shkodrën me Tiranën. Rruga në sajë të mjeteve moderne të zhvillimit kishte pësue nji trasformim të madh si në pikpamje ekonomike, si në atë të komunikimit shoqnor. Ketë transformim rrajsor e ban vetëm mentaliteti që vjen si pasojë e kulturës: “Tash: kush ia solli gjith kto lehtsí e ktŕ të mbarë vendit? Kultura! Kultura kjč ajo që shtroj rrugat; kultura kjč ajo që lshoj urat, shqertoj automobilat, ndertoi hotelet, aviti vendet me vende. Prej eksperjencet tonë prá shofim, se shkalla e kulturës shenjon shkallen e lumtnís së nji populli” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 228). Kultura âsht ajo që nderton rrugët, qendrat urbane, ruen qytetet e vendet prej shemtimit, mban pastër mjediset e përbashkëta, nuk damton mjedisin, ruen pyejet prej premjes e djegjes, kujdeset për hapsinat publike, ndërton shkolla, paguen taksat, kujdeset për zyrat publike, respekton ligjet dhe shtetin, etj.
Në nji tjerër paragraf pohon Fishta se: “Kultura i bán njerzt t’aftë per të kryem detyrat mâ së miri e per të mbaruem në pak kohë e pa shum mund punë të mdhá e të randa, kah qet në veprim elementat e veglat mekanike, ban, pra, me fitue kohë – e koha âsht ari – e me gzue jeten në pushim. Nieri i pa kulturë bjerrë kohë shum, s’pushon kurr e prodhon pak” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 229).
Në vijim të artikullit, Fishta radhit tri cilsi ku mund të pështetet kultura: intelekti (mendja vështru-ese), vullneti i fortë në përmbushjen e detyrimeve dhe bujaria ndaj shtresave shoqnore në nevojë. Shkruen autori ynë: “Per kulturë duhet: mendja e shquet, vullnesa e fortë e zemra bujare. Të trija kto cilsí shqiptari i ká” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 229). Për me pasë kulturë duhet formim intelektual e shpirtnor, qëndresë në kryemjen e detyrave, e sidomos ndjeshmënija e bujaria për nevojat e të tjerëve.

Historikisht populli ynë, shkruen Fishta, e ká mbrojt ekzistencën e vet nëpërmjet armëve, tashti lypën njerëz të përgatitun, të cilët “[…] neper pendë do t’ia sjellim të mbarën e të miren Atdheut” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 230).

Por, nuk do të mjaftojshin vetëm mendja e squet, vullnesa e fortë e zemra bujare për me pasë nji kulturë të mirë. Lypët që kultura të ketë si themel parime morale dhe etike si në pikpamje individuale e në atë shoqnore. Nji shoqni që jeton pá vlera morale dhe etike âsht e caktueme me dekë. Të lexojmë Fishtën: “Pra, po deshtem me i dhanë kulturës nji zhdrivillim sado të vogel në Shqipní, do të mundohemi me permirsue moralin e popullit shqiptár, sidomos tue ua mbushun mendjen shqiptarve – nder sa të tjera – se grueja, posë detyrësh, ká edhč tagre në familje; se nieri, me vullnet e kujdčs të vetin, mundet m’e permirsue gjendjen e vet mbí tokë; se per vepra të mira a të kqija që të bâjë nieri, ky vetë do t’ua bâjë pergjegjsín e jo Zoti; se në sw të Zotit e të ligjës jemi të gjith vllazen; se beja âsht e pathyeshme, në dashtë të bâhet në shpí, në dashtë në Saraj, në dashtë në kishë e në xhamí, e se nuk mund të bâhet beja në rrenë, per me i bâ mirë ndokujë, se âsht turp me rręjtë; se âsht faj e turp me vjedhë edhč gjan e shtetit etj. etj” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 231). Me përmisue gjendjen morale të popullit tonë ku xen fill kultura, për Fishtën duhet me i a fillue prej këtyne parimeve:

Me i njoftë të drejta dhe tagre grues, sepse ajo gëzon të drejta të barabarta me burrin.
Njeriu ká aftësitë e nevojshme me bâ që të përmirsojë e të lulëzoj jeta e tij mbi tokë.
Me mbajtë përgjegjsinë vet njeriu për veprimet e tij, tue mos e kalue fajin te të tjerët, ose në shkaqe mbinatyrore, koncepte abstrakte, etj.
Jemi të gjithë të barabartë përpara Zotit e ligjës, që do të thotë se në emën të fesë nuk vritet kush e se ligji duhet respektue e kerkush nuk duhet të dal mbi ligjin.
Mos me bâ bé rrejshem, e cila ká synimin që njerëzit të jetojnë nji jetë të ndershme si në pikpamje personale e në atë shoqnore.

Mos me vjedh gján e tjetrit, të mirën e përbashkët e mos me vjedh e as me damtue shtetin.
Shum prej këtyne elementash themelor për jetën individuale e shoqnore që i rreshton Fishta, janë nji risi për kohën e tij jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet e tjera mâ të qytetnueme se Shqipnia. Këto vlera morale që duhet të ketë kultura, në të vërtetë janë themele ku mund e duhet të krijohen ligje me të cilat formohen shtete e ndertohen struktura e organizma shoqnor. Vlerat kulturore e morale janë ato që bashkojnë njerëzit, afrojnë kombet, krijojnë mjetet e përshtashme për jetesë, u japin përparësi shkollave, ndihmojnë të vorfnit e njerëzit që gjinden në nevojë, krijojnë politika komunikuese për të mirën e qytetarëve, krijojnë ambiente për të vetmuemit e të braktisunit, e shum vepra të tjera si në rang zhvillimi ekonomik ashtu edhe në atë njerëzor. Bash prej këtyne vlerash dallohen popujt mâ të qytetnuem të Europës së sotme.
Për me i a mberrijt këtij qëllimi të naltë, të çmushëm e shum të nevojshëm për zhvillimin e elementit shpirtnor, intelektual dhe ekonomik të kombit tonë, duhet: “[…] që të gjith intelektualt privat të Shqipnís – mbas të kryemit të mbarë të detyrve – të perkujdesen, me sjellje të mbarë e me msime e shkrime të veta, me permirsue moralin e me zhvillue sa mâ mirë kulturen kombtare në gjí të popullit shqiptár; pse ndryshe Atdheu s’perparon as s’lumnon, e shqiptarët kan me mbetë gjithmonë nji kalem-kusúr në dorë të diplomacís s’Europës, per me mbyllë ajo me ta ndoj hesap batakçilleku” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 231).
Fishta e përfundon kryeartikullin e tij me nji ton disi shqetësues, i cili deri diku paraqitet shum aktual edhe për né që jemi në fundvjetin e 2014-s: “pse edhč nji popull i pakulturë në gjí t’Europës sod me sod do t’ishte si nji qen kasapësh që ha shtjelma per gjith anësh, edhč s’mbrami, s’rri pa u gjetun ndoj polic, që t’ia njesë lakun në fyt e ta hjedhë coftë kund në ndoj prroskë” (Fishta Át Gjergj., Proza 2, 1923-1940, f. 231).
Nji popull i pá kulturë konsiderohet prej popujsh të tjerë popull barbar, pá dinjitet e mbahet në asgjâ tue e shkelë me kambë kush të mundet. Atij nuk i njihen asnji herë të drejtat e tij. Ta marrim pohimin e Fishtës si nji zâ profetik e ti japim përparësi zhvillimit shpirtnor, moral, mendor e shoqnor të kombit tonë, për mos me mbetë “kalem-kusúr” e “qen kasapësh” për me lujt gjithkush e kush do me né e me vendin tonë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: