TIRANE

Festa shqiptare e muzikës vjen në edicionin e saj të dytë në “News 24”. Kantautori Gjergj Leka tregon detajet e një festivali që bashkon në skenë breza të ndryshëm për të përcjellë vlerat e muzikës.

Gjergj Leka thotë se “Qëllimi i festivalit është rikthimi i memories. Këtu bashkohen në një skenë brezi i artë dhe brezi i ri. Do të jenë 8 net transmetimi me dedikime për ata që nuk janë më”.

Edicioni i parë ngjiti në skenë të rinj shkollash muzike që ndjekin edhe kurse kantoje. Sivjet, të tjerë emra si ata do të mbërrijnë në festival për t’u përballur me publikun.

“Janë të tjerë të rinj që prekin skenën e festivalit. Dhe për të ardhur në festival janë vënë pra sprovash të vështira, u kemi kërkuar të këndojnë a-capela”.
Një festival muzikë që synon të ndajë të talentuarit nga ata që kanë dëshire e qëllim vetëm famën, me kohën, do të mund të krijojë një brez artistesh janë të gatshëm për një art që nuk shuhet lehtë.

“Studiot e regjistrimit janë kthyer në studio trukimi ndaj shumica e artistëve nuk arrijnë të këndojnë live”, thotë Leka.

Një pjesë e mirë e programit të festivalit sjell të riorkestruar këngë të para 1990-ës, duke vënë tashmë në një peshore të re, në një anë propagandën e në tjetrën vlerat artistike.

“Po, këngët e para ‘90-ës kanë propagandë, por ajo ishte muzikë serioze me tekst propagande, ndërsa sot shihet bukuria. Sot tekstet janë të llahtarshme”, thotë Leka.

Ai ka jo pak kritika sa i takon muzikës sot, teksteve dhe hiteve, që qarkullojnë në ambientet tona të përditshme. Ndërsa thekson se Maneskini nuk mund të jetë maja e Europës, zbulon se këtë vit, Festa e këngës shqiptare do të ketë surpriza që kërkojnë të rikthejnë pothuajse fatet njerëzore.

“Ne sjellim në skenë artistë me eksperiencë dhe artistët të harruar. Vijnë artistë që kanë kënduar në estradat e dikurshme, sepse shpesh, ana patriarkale i ndaloi disa vajza te dilnin ne skenë. Nuk do të mungojnë emra të njohur si Liljana Kondakçi, Bashkim Alibali, Alida Hisku e Kozma Dushi”.

Festa e muzikës shqiptare synon përzgjedhjen dhe promovimin e talenteve të reja duke i përballur ata jo vetëm me sfida e sprova që i përmirësojnë por edhe duke i vënë përballë emrave të njohur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: