Vetëmbrojtje në stil të ri? Prej disa javësh janë shtuar shumë kërkesat për leje për armë. Janë shtuar po ashtu edhe ofertat dhe kërkesat për kurse të vetëmbrojtjes, shkruan Deutsche Welle. Çfarë po ndodh në Gjermani?

Më së miri do të ishte sikur pistoleta të mund të futej në një çantë dore apo në tavolinën pranë shtratit, njoftojnë shitësit e armëve për kërkesat e kohëve të fundit. “Klientët nuk ndjehen të sigurtë, ndryshe nuk do të blenin kaq shumë armë”, thotë një shitës nga Renania-Veriore Vestfalia. Prej disa javësh ai dhe shumë kolegë të tij shesin mesatarisht tre herë më shumë armë se më parë. E gjitha kjo pas sulmeve në Këln kundër femrave në natën e Vitit të Ri. Prej atëherë në tërë Gjermaninë është shënuar rritje e shitjes së armëve, njofton Shoqata për Shitjen e Armëve.

Ligjet për mbajtjen e armëve në Gjermani janë shumë të rrepta. Personat që duan të mbajnë armë duhet të plotësojnë kushte të veçanta. Por me një “leje për armë të vogël” lejohet dhe blerja e pistoletave me të shtëna për frikësim. Ato mund të mbahen me vete edhe jashtë shtëpisë. Kërkesa për një armë të tillë kushton 50 deri 60 euro. Dhe për këtë nuk kërkohet ndonjë shpjegim. Nuk kërkohen as njohuri paraprake, sikur për armët e gjahut apo për armë sportive. Parakushti kryesor është që personi të ketë më shumë se 18 vjet.

Autoritetet përkatëse policore shikojnë detajisht të dhënat e personit dhe kushtet. Leja për armë jepet vetëm në qoftë se absolutisht nuk ekziston asnjë pengesë”, shpjegon një shitës. Një kliente e pranon shumë qartë pse ka ardhur: “Unë kam një vajzë 23-vjeçare, e cila studjon në Këln dhe me dëshirë do të shkonte të festojë karnavalet. Ndërsa tani ka pak frikë”. Autoritetet, të cilat japin leje për armë të vogla njoftojnë për dyfishimin e kërkesave. Armatimi fillon më së shpeshti me një hulumtim në rrjetin e internetit. Felix Beilharz, ekspert i mediave sociale nga Këlni, thotë se niveli i pasigurisë shihet shumë mirë në trendin e kërkesave në Google.

VEPRIMET NË INTERNET
“Aktualisht kemi një rritje prej më shumë se 1000 % të kërkesave, prej fillimit të janarit”, shpjegon Beilharz. “Në veçanti në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale kemi një radikalizim të përhapjes së frikës, për faktin që secili sheh vetëm ato përfytyrime, të cilat ia forcojnë frikën. Dhe kjo ka shkaktuar blerje paniku të armëve të të gjitha llojeve.”

Nga brengosja dhe frikësimi i qytetarëve po përfitojnë aktualisht edhe organizatorët e kurseve për vetëmbrojtje. Shumë prej këtyre ofertave rezervohen me javë përpara, që para ca kohe ka qenë e paparamendueshme. Edhe në internet mund të shikosh shumë video për përdorimin e armëve. Këtu ka dhe video ku thuhet se “edhe Gjermania duhet të armatoset më shumë, sepse policia nuk mund t’i parandalojë plaçkitësit.”

Në një video tjetër ka dhe udhëzime për vetëmbrojtje me armë. Në këto video jepen sugjerime se çfarë duhet të bëni në rast sulmi. Deri tani ka pasur mbi 175.000 klikime dhe ato po shtohen nga dita në ditë. Autoritetet policore i shohin këto zhvillime si pasojë të mosbesimit ndaj shtetit. Rainer Wendt nga Sindikata e policisë pohon se shitja e armëve paraqet një shqetësim të madh, sepse numrat e paraqitur janë jashtëzakonisht të lartë. Megjithatë ai nuk është i brengosur sepse në Berlin aktualisht kanë kërkuar leje për armë vetëm 0,2 % e njerëzve.

Policia nuk do të ndërmarrë asgjë kundër personave që duan të vetëmbrohen. “Kjo është në përputhje me ligjin”, thotë Rainer Wendt. Ndaj ligjet nuk duhet të shtrëngohen, sepse njerëzit janë aq të pjekur për të mos i keqpërdorur këto armë. Ndaj nuk ka nevojë për alarme. Megjithatë ka dhe qarqe, të cilat i shikojnë me shqetësim këto zhvillime.

(m.k/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: