Shkalla e infeksioneve me koronavirus në Gjermani ka pësuar rënie të ndjeshme, ku tashmë çdo pacient infekton mesatarisht më pak se një person tjetër, njoftoi agjencia qeveritare për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Pasi i ashtuquajturi numri i riprodhimit të bjerë nën një, epidemia zakonisht zhduket ngadalë.

Sipas Institutit Robert Koch (RKI), aktualisht Gjermania është në 0,7. Kjo do të thotë se 10 pacientë me koronavirus do të infektojnë vetëm shtatë persona të tjerë, duke çuar në një rënie të numrit të infeksioneve të reja të përditshme.

Megjithatë, RKI paralajmëroi se numri i parashikuar i rasteve veçanërisht te personat mbi 80 vjeç po rritet fuqishëm, gjë që ndoshta do të rezultojë në një rritje më të madhe të numrit të rasteve që kanë nevojë të shtrohen në spital dhe në kujdesin internsiv.

Njoftimi ka të ngjarë të nxisë më tej debatin rreth periudhës kur duhet të hiqen kufizimet e lidhura me koronavirusin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb