Mungesa e punëtorëve të aftë përbën një problematikë shumë të madhe për kompanitë e Gjermanisë, sipas 56 % të firmave të anketuara nga Dhoma gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK), të cilat thonë se është rreziku më i madh i biznesit me të cilin përballen.

“Gjermania po përballet me rrezikun e zhvendosjes së bizneseve, për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar”, paralajmëroi të shtunën kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Sondazhi i parapriu një takimi të nivelit të lartë në Berlin, i organizuar sot, në lidhje me emigrimin e punëtorëve të kualifikuar dhe mënyrën se si Akti i ri i Emigracionit për Punëtorët e Kualifikuar të vendit mund të hyjë në fuqi më shpejt.

“Në vitet e ardhshme, në Gjermani, numri i personave që do të dalin në pension do të jetë më i madh se numri i atyre që do t’i bashkohen fuqisë punëtore. Kjo është arsyeja pse, nëse duam të ruajmë prosperitetin tonë, ne duhet të sigurohemi që në Gjermani të plotësohet çdo vend pune për punëtorë të kualifikuar”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Peter Altmaier, përpara takimit.

Ligji do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020 dhe ka për qëllim t’u hapë rrugën punëtorëve të kualifikuar nga vendet jo të BE-së që të vijnë dhe të qëndrojnë në Gjermani.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb