BERLIN – Në muajin mars, Dr.Gunther Horzetsky, Sekretari i Gjermanisë për Ekonominë do të viijë në Tiranë për të diskutuar marrëveshje të reja bashkëpunimit me Shqipërinë në infrastrukturë, arsim profesional dhe sistemet duale.

Lajmi është konfirmuar gjatë vizitës së Ministrit shqiptar të Ekonomisë, Arben Ahmetajt, në Gjermani. Gjatë takimit me Ahmetajn, Horzetsky përgëzoi qeverinë shqiptare për rrugën e reformave dhe theksoi se reformat, së bashku me sigurinë dhe shtetin e së drejtës janë thelbësore për krijimin e besimit të investitorëve gjermanë për të ardhur në Shqipëri.

“Interesimi i kompanive gjermane për Shqipërinë është gjithnjë në rritje në sektorët e energjisë, turizmit, manifakturës. Mosha e re e forcës punëtore dhe kualifikimi janë ndër të tjera avantazhe të rëndësishme që ju keni” – tha Horzetsky.

Vizita u mbyll me forumin e biznesit me kompanitë shqiptare dhe gjermane të Landit, ku Ministri Ahmetaj prezantoi para bizneseve të pranishme mundësitë dhe avantazhet e investimit në Shqipëri. Një forum i ngjashëm, me një pjesëmarrje të gjerë biznesesh gjermane do të zhvillohet në Tiranë në muajin shtator.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb