TIRANE- Gjermania vazhdon ta mbështesë Shqipërinë në pastrimin e vendit nga municionet dhe lëndët eksplozive. Një ditë më parë, ambasadori gjerman në vendin tonë Hellmut Hoffmann dhe përfaqësuesja e UNDP Zineb Touimi-Benjelloun kanë nënshkruan një kontratë, e cila do të mundësojë mbështetjen e Albanian Mine Monitoring Co-ordination Office (AMMCO) deri në fund të vitit 2016.

Kontrata në vlerën e 250.000 eurove garanton punën në sektorin e pastrimit të të ashtuquajturave ‘Hot Spot’-e. ‘Hot Spot’-et në Shqipëri u krijuan gjatë trazirave të vitit 1997, kur në gjithë vendin u grabitën depot ushtarake me municione dhe lëndë eksplozive.

Gjatë grabitjeve të tyre pati edhe shpërthime gjatë të cilave lokalitetet ushtarake dhe hapësirat përreth u kontaminuan me mbetje eksplozive dhe municione të pashpërthyera, gjë e cila përbën rrezik për popullsinë e atyre zonave edhe sot.

“Me punën e rëndësishme të AMMCO-s mund të vijohet më tej me eliminimin e ‘Hot Spot’-eve në Shqipëri“, u shpreh ambasadori gjerman Hoffmann.

Ndërsa, Touimi-Benjelloun shtoi se “Ky program do ta bëjë Shqipërinë çdo ditë e më të sigurt”.
Kontrata u nënshkrua në praninë e zv.ministrit të Mbrojtjes Petro Koçi, si dhe të Komandantit të Trupave Mbështetëse të Forcave të Armatosura shqiptare, Gjeneral Brigade Ylber Dogjani.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb