Bavaria njoftoi sot anulimin e Festës së shenjtë të Birrës parashikuar në shtator, si pasojë e krizës që ka shkaktuar që prej disa javësh koronavirusi i ri për këtë sektor të konsideruar si një thesar kombëtar.

“Rreziqet ishin shumë të larta me gjashtë milionë vizitorë që priten në Mynih, një e treta e të cilëve vijnë nga vende të huaja dhe Azia kryesisht”, theksoi kryeministri i shtetit rajonal të Bavarisë Markus Söder.

Kryetari i Bashkisë së Mynihut, Dieter Reiter foli për një ditë të trishtuar me një mungesë të fitimeve të shumta pasi Festa e Birrës gjeneron zakonisht 1,2 miliardë euro të ardhura.

Kjo festë madhështore e birrës, e njohur gjithashtu për tejkalimin e konsumit të alkoolit, ishte programuar nga 19 shtatori deri më 4 tetor të këtij viti.

Një anulim i tillë është i pari që prej Luftës së Dytë Botërore, por ky manifestim ka qenë tashmë viktimë e një epidemie tjetër, asaj të kolërës në vitet 1854 dhe 1873.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb