Kryebashkiakët e zonave të prekura nga përmbytjet në Gjermani nëpërmjet një letre kanë kërkuar “ndihmë emergjente” nga kancelarja Angela Merkel.

Në letrën e publikuar në faqen e internetit të bashkisë Altenahr që mban firmën e kryebashkiakëve të 14 zonave, thuhet se ristrukturimi i rajonit është aq kompleks saqë nuk mund të menaxhohet në nivel lokal dhe se për këtë arsye kërkohet më shumë ndihmë.

Duke iu drejtuar kancelares Merkel dhe kryeministres së rajonit Rheinland Pfalz, Malu Dreyer, në letër kërkohet emërimi i një përfaqësuesi të posaçëm për ristrukturimin e rajonit.

Nga përfaqësuesi që do të emërohet kërkohet që të koordinojë ndihmat publike dhe private, si dhe të zhvillojë dhe të zbatojë një plan për rindërtimin e rajonit.

“Ka një problem të madh në çështjen e energjisë elektrike, gazit natyror dhe kanalizimeve”, thuhet në letër dhe theksohet se “kur shikohen përmasat e shkatërrimit është e qartë se të gjitha ndihmat dhe organizimet e mëparshme nuk do të jenë të mjaftueshme”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb