Qeveria amerikane do të paguajë 1,95 miliardë dollarë për të marrë 100 milionë doza të një vaksine potenciale kundër koronavirusit të ri, e zhvilluar nga aleanca gjermano-amerikane Biontech/Pfizer, njoftuan sot dy laboratoret.

“Qeveria amerikane ka vendosur një porosi fillestare prej 100 milionë dozash për 1,95 miliardë dollarë dhe mund të arrijë deri në 500 milionë doza shtesë”, theksuan du kompanitë në një komunikatë.

Laboratori biologjik gjerman “Biontech” dhe laboratori amerikan “Pfizer” po zhvillojnë që prej disa muajsh një projekt vaksine, që po hyn tashmë në një fazë vendimtare të provave klinike në shkallë të gjerë, pas rezultateve të para inkurajuese.

Uashingtoni do të marrë dozat e para që prej momentit që “Pfizer” do të ketë arritur të prodhojë me sukses vaksinën dhe të marrë miratimin e autoriteteve shëndetësore amerikane.

Qëllimi i dy laboratorëve është të prodhojnë 100 milionë doza para fundit të vitit 2020 dhe potencialisht më shumë se 1,3 miliardë doza para fundit të vitit 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb