Gjermania e përshkroi vdekjen e 22 migrantëve që po përpiqeshin të çanin gardhin kufitar midis Marokut dhe enklavës spanjolle Melilla si “tronditëse”.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëvendës zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Buchner lidhur me incidentin tha se “Është tronditëse që kaq shumë njerëz humbën jetën duke u përpjekur të kalonin kufirin. Mbi 300 raportohet se janë plagosur”. Ai shprehu “trishtim të thellë” për vdekjet.

Buchner tha se Spanja njoftoi se incidenti do të zbardhet, duke theksuar se kjo është e rëndësishme dhe Berlini e mirëpret këtë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane, Maximilian Kall, i cili mori pjesë në takim, tha se ministrja e Brendshme Nancy Faeser ishte tronditur nga ajo që ndodhi.

“Presim që këshillat përkatës dhe këshillat e BE-së ta sqarojnë këtë”, shtoi ai.

Rreth 2.000 emigrantë, shumica nga Sudani, u përpoqën të kalonin gardhin e militarizuar kufitar të premten dhe u ndeshën me autoritetet marokene dhe spanjolle.

Në raportet fillestare flitej për 5 të vdekur, por autoritetet marokene më vonë e ngritën numrin në 23. Helena Maleno Garzon, kreu i organizatës joqeveritare Walking Borders, tha se të paktën 37 persona kanë humbur jetën.

Të dielën, Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut (AMDH) publikoi një imazh që tregonte autoritetet nga vendi i Afrikës Veriore duke gërmuar rreth 20 varre, të cilat organizata tha se ishin të destinuara për emigrantët që vdiqën në kufi.

Të shtunën, disa organizata joqeveritare lëshuan një deklaratë të përbashkët duke kërkuar hetime lidhur me trajtimin e emigrantëve gjatë përpjekjes së tyre për të kaluar kufirin. AMDH në mënyrë specifike u shpreh kundër varrosjes së trupave pa hetim.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez përshëndeti bashkëpunimin spanjoll dhe maroken në kufi, duke thënë se përpjekja e migrimit masiv ishte “zgjidhur mirë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb