MYNIH

Gjermania i ka bërë thirrje Rusisë të përdorë ndikimin e saj te regjimi sirian për të ndaluar ofensivën në veriperëndim të Sirisë.

“Këto sulme duhet të ndalen”, tha Heiko Maas, ministër i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, në një intervistë për të përditshmen gjermane ‘Suddeutsche Zeitung’.

“Tani ne jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi tjetër dramatik të situatës në Idlib dhe po arrin nivelin e një katastrofe humanitare”, tha Maas.

Pothuajse 1.5 milionë sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë muajve të fundit, duke ngjallur frikë për një fluks të ri refugjatësh drejt Evropës.

Shefi i diplomacisë gjermane gjatë bisedave të fundit me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, tha se ai ka përcjellë shqetësimet dhe pritjet e qeverisë së tij.

“Assad-it nuk i intereson për vdekjen e njerëzve në një mënyrë mizore. Rusia duhet të përdorë ndikimin e saj tek regjimi”, tha Maas.

Maas komentet e bëri para Konferencës së Sigurisë së Mynihut, konferencë e sigurisë e cila është më e madhe në botë dhe e cila më 14-16 shkurt sjellë në një vend udhëheqës politikë dhe ushtarakë nga e gjithë bota.

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo dhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, janë ndër zyrtarët e lartë që pritet të marrin pjesë në konferencë.

Turqia dhe Rusia në muajin shtator u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskaluese ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Por që nga ajo kohë, mbi 1.800 civilë janë vrarë në sulmet nga regjimi dhe forcat ruse, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018 dhe atë të 12 janarit të këtij viti.

Sulmet e regjimit sirian të javëve të fundit mbi trupat turke të vendosura në Idlib, kanë rritur më tej tensionet në rajon.

Të hënën, pesë trupa turke u martirizuan dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm nga forcat e regjimit sirian, ndërsa gjatë javës së kaluar humbën jetën shtatë ushtarë turk dhe një kontraktues civil që punonte për ushtrinë turke.

Trupat turke ndodhen në Idlib, në një zonë armëpushimi, nën një marrëveshje midis Turqisë dhe Rusisë në kuadër të një misioni kundër-terrorist dhe të paqes.

Turqia u hakmor për dy sulmet e fundit, duke goditur një sërë objektivash dhe duke vrarë rreth 200 trupa të regjimit sirian të Bashar al-Assadit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb